Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka prezantuar sot emrat që do të kryesojnë skuadrën e partisë që ai drejton në zgjedhjet e 25 prillit.
Rama është shprehur se këtë herë e ka ndryshuar skemën dhe vendet e para do t’i lihen të rinjve, grave dhe vajzave.
“Vendet e para i duhen lënë të rinjve, grave, vajzave, që nuk janë enturazh në PS, por janë akterë të rëndësishëm të të gjithë procesit tonë dhe nga ana tjetër, fuqizimi i mëtejshëm i grave dhe vajzave është pjesë e vizionit tim për këtë vend dhe i vizionit të PS për përfaqësimin në këtë vend. Mendoj që është e rëndësishme të ndalem këtu për të sqaruar këtë mesazh. Nuk e kuptoj çfarë kuptimi ka që të jem në vendin e parë të listës në Durrës dhe në Vlorë. Unë do të vendosem aty ku është objektivi bazë dhe me skuadrën bazë do luftoj për të arritur objektivin maksimal. Pikërisht se jam udhëheqësi i partisë, kam detyrën t’i bëj të dyja”, ka thënë Rama.
Më pas ka bërë prezantimin e emrave që do të kryesojnë listat e qarqeve. Vihet re se të gjitha janë femra dhe vetëm në dy qarqe, listat udhëhiqen nga Erion Braçe dhe Lavdrim Krashi. Sa i përket listës së Tiranës, u shpreh se nuk i ndan dot Najada Çomon dhe Luljeta Bozon, për të cilat thotë se kanë arritur t’i përçojnë komunitetit një përmasë të prekshme përkujdesje dhe dashurie.
Vendi i parë në Listën e Shkodrës: Edona Bilali
Vendi i parë në Listën e Vlorës: Pranvera Sulaj
Vendi i parë në Listën e Kukësit: Greta Duraku
Vendi i parë në Listën e Korçës: Eni Zake
Vendi i parë në Listën e Dibrës: Lavdrim Krashi
Vendi i parë në Listën e Berat: Hatixhe Konomi
Vendet e para në Listën e Tiranës: Luljeta Bozo dhe Najada Çomo
Vendi i parë në Listën e Fierit: Erion Braçe
Vendi i parë në Listën e Elbasanit: Evis Kushi
Vendi i parë në Listën e Gjirokastrës: Mirela Kumbaro
Vendi i parë në Listën e Lezhës: Lindita Nikolla
Vendi i parë në Listën e Durrësit: Milva Ekonomi