Gjatë kësaj jave, kompania e njohur kineze e teknologjisë Xiaomi ka lansuar smartfonin e saj më të ri Andriod – Mi 9. Së bashku me të, ka prezantuar edhe dy modele tjera – Mi 9 Transparent Edition dhe Mi 9 SE.
Ndërsa Mi 9 Transparent Edition dhe Mi 9 SE duket se nuk do të jenë në dispozicion jashtë Kinës, modeli standard Mi 9 do të niset për Europë së shpejti dhe është vendosur që të lansohet zyrtarisht në MWC (Kongresin Botëror për Celularë) në Barcelonë më 24 shkurt, transmeton Koha.net.
Mysmartprice shkruan se tani ka zbuluar edhe çmimin fillestar të Mi 9 në Europë.
Xiaomi Mi 9 do të fillojë me 469 euro në Europë
Smartfoni më i fundit i avancuar i Xiaomit do të jetë në dispozicion për shitje në Europë me çmim prej 469 euro për modelin bazik me 6 GB RAM memorie dhe 128 GB memorie të brendshme. Ndërsa modeli me 8 GB RAM dhe 128 GB memorie të brendshme pritet të kushtojë rreth 600 euro.
Për më shumë detaje rreth çmimit dhe disponueshmërisë së këtij smartfoni në Europë, do të duhet të presim konferencën për shtyp të Xiaomit në MWC 2019 në Barcelona këtë të diele.
Xiaomi Mi 9 ka ekran 6.39-inç Super AMOLED me ‘notch’ (prerje), rezolucion Full HD+ dhe xhamin mbrojtës Corning Gorilla Glass 6, si dhe skanerin për gishta nën-ekran të gjeneratës së pestë, përcjell Koha.net. Falë prerjes 3.6 mm në ekran, smartfoni ka sipërfaqen e ekranit prej 90.7 për qind.
Ashtu siç mund të prisni nga një smartfon Android i avancuar i vitit 2019, Mi 9 punon me procesor të Qualcommit 7nm Snapdragon 855 me tetë bërthama dhe grafikën Adreno 640, shkruan mysmartprice.
Gjithashtu, smartfoni i ri i avancuar i Xiaomit ka tri kamera në pjesën e pasme – 48 megapikselë Sony IMX586 dhe dy të tjera prej 12 + 16 megapikselë, si dhe kamerën e përparme për ‘selfie’ prej 20 megapikselë.
Ndër specifikat tjera përfshihen edhe bateria prej 3.300 mAh me mbështetje për mbushje të shpejtë prej 20W me Wi-Fi, si dhe punon me sistemin operativ në version MIUI 10.2, i bazuar në Android 9 Pie.