Hetimi i SPAK për aferat e çiftit mafioz Meta-Kryemadhi, zbuloi kacafytjen mes Sali Berishës e Ilir Metës, për të rrëmbyer monopolin e rrjetit “DVB-T2” të fibrave optike nëntokësore të internetit në territorin e Shqipërisë.
Këtë monopol me afat 40 vite e vlerë 40 milionë Euro nga shteti, ish-kryeministri Sali Berisha, në datën 23 gusht 2010 ia dha me tender fiktiv e dokumente false, kompanisë “Albanian Telecomunications Union” të tropojanit Bashkim Ulaj, sponsor i familjes “Berisha”.
Por dhe i shpërblyer gjatë pushtetit të PD, me afro 1 miliardë Euro tenderë, ankande, 600 hektarë toka, troje, pyje, gurore, objekte shtetërore, koncesione për 11 hidrocentrale privatë, qendra tregtare, fabrikë çimentoje dhe 116 leje ndërtimi për pallate e kulla.
Por në nëntor 2013, vetëm 3 muaj pasi ra pushteti PD-LSI, Ilir Meta në koalicion me Edi Ramën, filloi manovrat nëpërmjet ministrit të LSI, Edmond Haxhinasto dhe kryeministrit Edi Rama, për t’i hequr Bashkim Ulajt monopolin e fibrave optike dhe t’ia jepte kompanisë “UNIFI Communication INC” të dibranit Adrian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit.
Faktikisht, ky skenar e pazar i çiftit Meta- Kryemadhi për marrjen e monopolit të fibrave optike, nisi qysh në datën 9 tetor 2012, kur LSI ishte në pushtet me PD-në dhe ka vazhduar më pas, vërtetuar nga mesazhet dhe bisedat mes Monika Kryemadhit e kushëririt Adrian Shatku etj.
Në dosjen e SPAK, janë pasqyruar komunikimet me e-mail e mesazhe telefonike, që biznesmeni Adrian Shatku ka bërë me kushërirën Monika Kryemadhi, me Ministrin e Transport-Telekomunikacionit, Edmond Haxhinasto, me Kryetarin e AKEP, Piro Xhixho, me Shefin e Kabinetit të Kryetarit të AKEP, Rudolf Papa dhe me Ermal Topallin, Drejtor i Licencimeve në Ministrinë e Transport-Telekomunikacionit, të gjithë të LSI.Në dosje, thuhet se në këmbim të favorit për sigurimin e monopolit të fibrave optike dhe një linje interkonjuksioni shërbimi celular, kushëriri biznesmen Adrian Shatku, i financonte çiftit Meta-Kryemadhi, trajtime mjekësore, operacione plastike, veshje, fjetje në hotele, shoping në qendra tregtare jashtë Shqipërisë dhe lobime partiake.
Sali Berisha kishte dijeni, që çifti Meta-Kryemadhi kishte nisur skenarin për t’i hequr dhe marrë monopolin e fibrave optike, mikut e sponsorit të tij Bashkim Ulaj, por nuk kishte mundësi ta bllokonte, sepse Ilir Meta ishte në pushtet me Edi Ramën e kishte fuqi absolute.
Por bllokimin që nuk e bëri dot Sali Berisha, e bëri vetë oligarku Bashkim Ulaj, duke u futur në pazare me Edi Ramën, dhe janë lidhur aq fortë, sa duket sikur janë ortakë në çdo tender, ankand, koncesione HEC-esh, gurore, ndërtim pallatesh, kullash e PPP-në e rrugës Milot -Thumanë- Kashar.
Kacafytja për monopolin e fibrave optike ka qenë një kacafytje e egër, ngaqë amerikani prej Tropoje, Bashkim Ulaj, paguante mijëra Euro për familjen dhe votat e partisë së Saliut; ndërsa amerikani prej Dibre, Adrian Shatku, paguante mijëra euro karta krediti për udhëtime, pushime, hotele, lobime, operacione e veshje luksi të kushërirës Monika Kryemadhi.