Sot në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, është prezantuar lloji i ri i një insekti i cili është zbuluar në bjeshkët e Sharrit nga profesori i degës së Biologjisë, Halil Ibrahimi.
“Potamophylax humoinsapiens” është insekti hulumtimi i të cilit kishte nisur nga vitet 2010-2015, dhe finalizimi i të gjitha analizave të nevojshme u realizua këtë vit.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi tha se është tejet i kënaqur që hapësira e senatit po shfrytëzohet tashmë edhe për zbulime të tilla nga degët e këtij institucioni.
Ai tha se lajmet për zbulime të tilla nuk janë të shpeshta dhe prandaj është marrë nisma për prezentimin e këtij zbulimi.
“Kjo sallë deri më tani ka shërbyer për takime administrative dhe ato të stafit akademik. Është lajm i gëzueshëm kur përdoret nga studentë e profesor sikurse është profesori Halil Ibrahimi. Jo çdo ditë kemi zbulime, megjithatë stafi ynë bënë punë të mira. Lajmet me këto janë të pakta dhe nuk transmetohen sa duhet, prandaj këtë linje ne kemi marr këtë nismë që të prezantojmë punën që ka zbuluar disa lloje të insekteve në Kosovë. Ju që jeni student duhet të jeni krenar me punën e profesorit tuaj. Kjo fushë e studimit ka një rol të veçantë”, tha rektori Qerimi.
Profesori i degës së biologjisë, Ibrahimi tha se ky projekt ka qenë në kuadër të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë duke përfshirë krahasimet në muze me llojet e tjera të insekteve dhe konkludimet e sakta nga analizat molekulare.
I njëjti para profesorëve dhe studentëve pjesmarrës në këtë event ka shtjelluar dhe ka dhënë informacione e kuriozitete rreth botës shtazore dhe bimore për rëndësinë që kanë në jetën e njeriut.
Ibrahimi ndër të tjera ka thënë se gjatë viteve janë bërë hulumtime të shumta mbi insekte të ndryshme, kësisoji edhe emërtimet e vëna nga studjuesit janë lidhur ngushtë me prezentimin e vendit përballë shteteve të tjera.
Në anën tjetër, Ibrahimi në vitin 2021 kishte njoftuar për zbulimin e një insekti tjetër të emërtuar photamophylax coronavirus.
Halili kishte treguar se ky insekt jeton vetëm në Bjeshkët e Nemuna, për të kishte shkruar edhe mediumi i njohur për zbulime shkencore “Phys.org”.