Studentët në Serbi do të mbajnë një marshim proteste gjatë ditës së nesërme në Beograd, pas tubimit më të madh të zhvilluar ndonjëherë që mblodhi mbi 100 mijë njerëz të dielën.
Marshimin do ta nisin në një prej shesheve të kryeqytetit dhe do ta përfundojnë atë në ndërtesën e Prokurorisë.
Kërkesa e studentëve, të cilëve iu bashkohen fermerët, akademikët dhe qytetarët, është që presidenti Aleksandër Vuçiq dhe qeveria e tij me kryeministër Millosh Vuçeviç të dorëhiqen pas tragjedisë në Novi Sad që u mori jetën 15 personave.
Mediat në Serbi raportojnë se studentëve dhe atyre që i organizojnë apo marrin pjesë në protesta po u bëhet presion nga shteti. Në fakt për katër javë me radhe, thuajse çdo ditë, ka aksione të mosbindjes civile nga studentët apo nxënësit.
Protestuesit bllokojnë fakultetet duke braktisur mësimet çdo ditë në orën 11:52 duke dalë në kryqëzime të disa rrugëve për 15 minuta në shenjë nderimi për 15 personat që humbën jetën nga shembja e strehës së betonit në stacionin e trenave në Novi Sad më 1 nëntor. (A2 Televizion)