Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi, iu është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës lokale PDK-LDK lidhur me shkuarjen në Francë të kryetarit Ahmeti.
Vraniqi ka thënë për “Zërin” se kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, që nga e shtuna është në Francë.
Sipas tij, edhe kur mungon Ahmeti ka resurse të mjaftueshme njerëzore për ta zëvendësuar atë, përkatësisht kur mungon kryetari zëvendësohet nga nënkryetari, Dardan Sejdiu.
“Kryetari është në Francë që nga dita e shtunë, që i bie 3 ditë që nuk është këtu. E dyta, kryetari i Komunës është pozicion politik dhe së këndejmi nuk i nënshtrohet rregullave që u nënshtrohen shërbyesit civilë. Kryetari ka ndërtuar resurse të mjaftueshme në kabinet për të funksionuar puna edhe kur ai mungon. Pra, nënkryetari e zëvendëson kryetarin kur ai nuk është këtu. Dhe e fundit, udhëtimi është privat me shpenzime private dhe është periudhë e rregullt pushimi, të cilën kryetari e shfrytëzon çdo vit”, ka thënë Vraniqi.