
Ndërtesa kryesore qeveritare e Ukrainës në Kiev është goditur për herë të parë që nga fillimi i luftës, në një valë të re sulmesh nga Rusia, njoftoi kryeministri ukrainas.
Yulia Svyrydenko bëri të ditur se çatia dhe katet e sipërme të godinës janë dëmtuar rëndë dhe një zjarr shpërtheu si pasojë e sulmit.
Sulmet ruse kanë shkaktuar të paktën katër viktima, përfshirë një foshnjë dhe një grua të re, të cilat humbën jetën pasi një ndërtesë nëntëkatëshe banimi u godit në lagjen Svyatoshynsky të Kievit, raportoi BBC, transmeton Insajderi.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi më shumë se 800 dronë dhe raketa në sulmin më të fundit – një numër rekord deri tani. Nga këto, 9 raketa dhe 56 dronë goditën 37 lokacione, ndërsa rrënojat ranë në 8 vende të ndryshme.
Presidenti Volodymyr Zelensky dënoi fuqishëm sulmin dhe tha se dëmet ishin të mëdha në Zaporizhzhia, Kryvyi Rih, Odesa, si dhe në Sumy dhe Chernihiv.
“Vrasje të tilla tani, në një kohë kur diplomacia e vërtetë mund të kishte filluar shumë kohë më parë, janë një krim i qëllimshëm dhe një përpjekje për të zgjatur luftën”, tha ai në rrjetet sociale, duke kërkuar vullnet politik ndërkombëtar për të ndaluar agresionin rus.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë deklaroi se kishte goditur komplekset ushtarako-industriale dhe infrastrukturën e transportit të Ukrainës, duke shkaktuar dëme në depot e armëve dhe pajisjeve ushtarake.