
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ashpër ndaj propozimit të presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim 3-ditor me rastin e Ditës së Fitores, duke e quajtur atë “një tjetër përpjekje për manipulim”.
Në një deklaratë më 28 prill, Zelensky tha se Rusia po përpiqet të përfitojë nga rasti për të pasur “heshtje për paradën e Putinit”, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdon të godasë objektiva civile në Ukrainë.
“Ne vlerësojmë jetën njerëzore, jo paradat,” tha ai, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për të pritur deri më 8 maj për të ndalur luftën. Sipas tij, armëpushimi duhet të jetë i menjëhershëm, i plotë dhe i pakushtëzuar për të paktën 30 ditë, në mënyrë që të jetë i qëndrueshëm dhe i besueshëm, raporton Kievindependent, përcjell Insajderi.
Zelensky rikujtoi se Ukraina tashmë ka pranuar një propozim të Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor, por Moska vazhdon ta refuzojë atë, duke shtuar kërkesa maksimale në negociata dhe duke refuzuar të bëjë lëvizje drejt paqes.
Ai bëri thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë, duke thënë se vetëm përmes presionit të fortë mund të detyrohet Kremlini të ndalojë luftën.
“Çdo ditë e re sjell prova të qarta se ky është një konflikt që i nevojitet vetëm Rusisë,” tha presidenti ukrainas.