Fundi i luftës është më afër se kurrë. Kështu është shprehur Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një interviste për median amerikane, ABC News. Sipas Zelensky, lufta mund të përfundojë më shpejt se sa mendojnë disa njerëz.
“Unë mendoj se ne jemi më afër paqes sesa mendojmë. Ne vetëm duhet të jemi shumë të fortë, shumë të forte. Plani i fitores që ai do t’i paraqitet Presidentit të SHBA Joe Biden këtë javë kërkon nga aleatët që të “forcojnë” ushtrinë ukrainase”, tha Zelensky.
Ai shtoi se plani nuk kishte të bënte me negociatat me Rusinë, por ishte “një urë për një rrugëdalje diplomatike, për të ndaluar luftën”. Ai shtoi se Ukraina mund ta shtyjë presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund konfliktit nëse Kievi do të vinte nga një “pozicion i fortë”.
Nga ana e tij, Kremlini ka deklaruar se lufta në Ukrainë do të përfundojë “sapo të arrihen objektivat” e trupave ruse. Kjo është bërë e ditur nga agjencia Interfax. “Ju e dini se çdo luftë, në një mënyrë apo tjetër, përfundon në paqe. Por për ne nuk ka absolutisht asnjë alternativë për të arritur qëllimet tona”, tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, duke komentuar fjalët e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sakaq, Rusia nuk ka ndalur sulmet e saj kundër Ukrainës. Të paktën tre persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën pasi një raketë ruse goditi ndërtesat e banimit në Kharkiv. Kështu kanë bërë të ditur autoritetet lokale, duke pretenduar se në sulm janë përdorur bomba Kab. “Ne kemi informacion paraprak për mbërritjen e bombave Kab në dy ndërtesa banimi në lagjet e Kievit dhe Saltiv” të qytetit, shkroi kryebashkiaku Igor Terekhov në Telegram.
Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dhe rajoni përreth vihen rregullisht nën sulmet ruse. Trupat e Moskës përdorin gjerësisht bomba të drejtuara shumë shkatërruese që mbrojtja ajrore ukrainase përpiqet t’i kapë. Rusia mohon të ketë shënjestruar me dashje civilët edhe pse ka vrarë mijëra prej tyre gjatë më shumë se 2/1-2 viteve të luftës. (A2 Televizion)