Një iniciativë e Nismës për Kosovën për votën e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës mund t’i shkojë për shtati PDK-së që tashmë nuk po i fsheh përgatitjet për zgjedhje të parakohshme.
Madje deputeti i LDK-së, Armend Zemaj dyshon se vete PDK-ja është e përfshirë në këtë iniciativë.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se nuk duhet konsensus nacional për demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Nuk i besoj as PDK-së e cila, nuk është larg mendsh që mund të jetë e implikuar në këtë ide, PDK mund ta përdor ndonjë subjekt për këtë ide”, ka thënë Zemaj.
Më tutje Zemaj në TV Rrokum ka thënë se LDK-së nuk i mungon guximi me e prish koalicionin aktual madje sic thotë ai edhe LDK- është duke u përgatitur që në zgjedhjet e ardhshme të dalin të parët.
“Është trefishuar numri i atyre që na mbështesin, ndaj po punojmë që në zgjedhje të dalim të parët”, ka thënë Zemaj.
Më herët, Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, i ka thënë Insajderit se opozita mban shpresat tek deputetët e koalicionit qeverisës, të cilët tashmë edhe publikisht kanë shprehur dëshirën që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Lidhur me këtë iniciativë të Nismës për Kosovën, është pajtuar deputeti i LDK-së Shukri Buja i cili ka thënë se do ta mbështes një iniciativë të tillë./Insajderi.com