Një nga marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë, është edhe ajo për fushën e shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj thotë se ishte privilegj për të që ta nënshkruaj bashkë me ministren e Shëndetësisë në Shqipërisë, Ogerta Manastirliu marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë në mes të dy ministrive për përballje me COVID-19.
Sipas marrëveshjes parashihet të krijohen trupa të përbashkëta punuese, e siç tha Zemaj të përkushtuar ndaj situatës aktuale të pandemisë.
“Në kuadër të 15 marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, jam i privilegjuar që me znj. Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të nënshkruaj marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë në mes të dy ministrive tona për pëballjen me Covid 19. Sipas marrëveshjes, në mesin e tjerave, do të krijojmë trupa të përbashkëta punuese, të përkushtuara ndaj situatës aktuale, pandemisë”, ka shkruar Zemaj.
Mes tjerash ai thotë se kjo marrëveshje do të avancoj edhe në aspektin e bashkëpunimit shkencor, për plazmën e gjakut, për protokollet dhe udhërrëfyesit klinikë.
“Bashkëpunimi do të avancoj edhe në aspektin e bashkëpunimit shkencor, për plazmën e gjakut, për protokollet dhe udhërrëfyesit klinikë dhe përvoja tjetër që është me interes të ndërsjellë. Në këtë fushë, konsiderojmë se kemi terren të mjaftueshëm për të mësuar nga njëri-tjetrit, për ta ndihmuar njëri-tjetrin dhe për t’ia dalë së bashku. Luftimi i Covid-19, por edhe avancimi i sistemit shëndetësor nga të dyja anët, do të ketë sukses më të madh kur jemi bashkë”, shkruan Zemaj.