Posti më i rëndësishëm menaxherial në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, është synim i ish-nënkryetarit të komunës së Lipjanit, Florent Hoxhës.
Ai ka mbajtur për disa vite postin e nënkryetarit për komunitete në kohën kur Partia Demokratike e Kosovës ishte në pushtet komunal. Pas rënies nga pushteti të Shukri Bujës në Lipjan, Hoxha ka mbajtur postin e nënkryetarit të degës së PDK-së në Lipjan dhe shefit të grupit të këshilltarëve komunal të kësaj partie. Hoxha, për vite më radhë ka qenë pas Shukri Bujës në hierarkinë partiake e komunale.
Vendimin për synimin e tij për të udhëhequr një ndërmarrje publike-ligjërisht e pavarur nga politika- do ta marrë bordi i drejtorëve të Ujësjellësit Prishtina që udhëhiqet nga Amir Gashi, i cili në faqen zyrtare të partisë ende figuron si sekretar organizativ i degës së PDK-së në Prishtinë.
Por Hoxha dhe tre kandidatë tjerë kanë pasur probleme për sa i përket kompletimit të dokumentacionit të kërkuar për postin e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes.
Insajderi ka mësuar se për postin e kryeshefit ekzekutiv kanë konkurruar 16 veta. Katër prej tyre nuk kanë arritur të dëshmojnë që nuk janë nën hetime. Ata janë: Florent Hoxha, Ylber Zabërgja, Osman Sylani dhe Arsim Mehmeti. Ndërsa 12 të tjerët që e kanë dorëzuar këtë dokument janë: Kujtim Xhelili, Irfan Fejzullahu, Zijadin Lutolli, Bashkim Halabaku, Naim Krasniqi, Selim Lulaj, Bujar Sadiku, Bekim Jupa, Agron Haxhiu, Bekim Jakupi, Bekim Lushaku dhe Ilir Abdullahu.
Por, bordi i udhëhequr nga Amir Gashi, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e degës së PDK-së në Prishtinë, ka vendosur që të ftohen në intervistim edhe kandidatët që nuk kanë arritur të sjellin dëshminë që nuk janë nën hetime. Vendimi është marrë në mbledhjen e bordit, të mbajtur më 26 maj të këtij viti.
“Bordi i Drejtorëve të KUR”Prishtina” sh.a… ka vendosur, që për hir të transparencës, të u’a krijoj mundësinë të gjithë kandidatëve që aplikuan për këtë pozitë t’i ftojë në intervistë, pa dallim, me kusht që të gjithë prej tyre gjate intervistimit të sjellin me vete dhe prezantojnë para komisionit dokumentet origjinale të kërkuara sipas kritereve të konkursit të datës 21.03.2016”, thuhet në kumtesën e kësaj ndërmarrje publike.
Ndërkaq Hoxha, i kontaktuar nga Insajderi, ka pohuar se e ka dorëzuar këtë dokument. Ka shtuar po ashtu se e kaluara e tij politike nuk paraqet problem për ta udhëhequr këtë ndërmarrje publike.
“Kam qene nënkryetar i komunës, por nuk jam më prej që kemi humbur në Lipjan. Tash jam i papune. Kam qenë në PDK, nuk jam më. Kam dorëzuar te gjitha dokumentet e nevojshme, përfshirë edhe dokumentin qe nuk jam nën hetime. Nuk mendoj se e kaluara ime në politikë do të jetë problem”, ka thënë Hoxha për Insajderin.
Por Hoxha nuk ka kthyer më përgjigje kur Insajderi i kërkoi një koment lidhur me dokumentin intern të Ujësjellësit “Prishtina”, i cili tregon se ai dhe tre të tjerë nuk e kanë dorëzuar dëshminë që nuk janë nën hetime.
Po ashtu Hoxha, ndonëse thotë se ka dhënë dorëheqje nga partia, vetëm gjatë javës së kaluar bashkë me kryetarin e degës, Shukri Bujën, ka vizituar disa fshatra të Lipjanit ku është diskutuar për rolin e degës së PDK-së në këtë komunë. Aktivitet partiake të tij, bashkë me kryetarin Buja, janë të publikuara në faqen zyrtare në “Facebook” të degës së Partisë Demokratike të Kosovës.
Posti i kryeshefit ekzekutiv, që synohet nga Hoxha dhe pesëmbëdhjetë të tjerët, ka qenë çështje e diskutimit publik për disa muaj rresht.
Bordi i vjetër i ndërmarrjes kishte shkarkuar vitin e kaluar ish-kryeshefin Gjelosh Vataj. Kishte arsyetuar vendimin me faktin se Auditori Gjeneral kishte gjetur keqpërdorime të Vatajt.
Nuk kishte zgjatur shumë dhe Vataj ishte kthyer në të njëjtën pozitë. Për këtë, kishte marrë vendim bordi i ri i drejtorëve të ndërmarrjes.
Kthimi i tij i sërishëm kishte nxitur reagimin e dy ambasadave në Kosovë- të Zvicrës dhe Gjermanisë. Kishin kërkuar nga kryeministri Mustafa shkarkimin e Vatajt dhe të bordit të ri. Në kundërtën, nuk do të investonin miliona euro në rrjetin e ujësjellësit në Kosovë. Dy ambasadat kishin vlerësuar se krerët e kësaj ndërmarrje publike janë të politizuar.