Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nxitur polemika të mëdha, pasi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, me qëllim frenimin e valës së emigrantëve dhe refugjatëve nga disa vende me shumicë myslimanë.
Të zemëruar nga urdhri i Trumpit, amerikanët e kanë denoncuar presidentin e tyre të ri në gjyq, janë mbledhur në protesta kundër tij, dhe janë shprehur zëshëm ndaj politikës së re.
Madje, edhe zëvendësi i tij e ka cilësuar antikushtetuese ndalesën e Trumpit ndaj myslimanëve.
“Thirrjet për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në SHBA janë fyese dhe antikushtetuese”, pat shkruar më 2015 zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence.
Zëvendësi i Trumpit nuk ka komentuar publikisht për urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga shefi i tij.
Ai ka qenë i pranishëm kur Trump ka njoftuar popullin për ndalesën, që me gjasë përfaqëson mbështetjen e tij për politikën e re.
Por, fjalët e tij të 2015 megjithatë mund të sugjerojnë një përçarje ideologjike në Shtëpinë e Bardhë.