
Më 12 tetor 2025 do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, ku qytetarët do të votojnë për përfaqësuesit e rinj në nivel komunal.
Në ato komuna ku asnjëri nga kandidatët për kryetar komune nuk arrin të sigurojë mbi 50% të votave, procesi do të shkojë në balotazh.
Sipas Valmir Elezit, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, balotazhi do të mbahet më 9 nëntor 2025.
“Secili kryetar i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Në fletëvotim, votuesi duhet të votojë vetëm njërin nga kandidatët për kryetar të komunës. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet rundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, ka thënë ndër të tjera ai.