
Veturat e vjetra në Kosovë janë shkaktarë për numrin e madh të aksidenteve të trafikut dhe ndotjes së ajrit. Kështu u tha të mërkurën në një tryezë të organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm me temën “Ndikimi i Veturave në Shëndet dhe Siguri Rrugore”.
Tahire Gjergji nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka thënë se në Kosovë industria dhe komunikacioni janë ndotësit kryesor të ajrit.
“Instituti ka primare shëndetin publik dhe përcjellet edhe kualiteti i ajrit. Industria dhe komunikacioni janë ndotësit kryesor te ajrit. Ne bëjmë përcjelljen e sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare. Ndotja e ajrit ndikon ne sistemin respirator. Vazhdojmë te propozojmë masa në minimizimin e këtyre problemeve”, ka thënë ajo.
Por, Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka thënë se gjendja jo e mirë ekonomike e vendit ka kushtëzuar qytetarët që të blejnë vetura të vjetra për shkak të çmimit të ulët të tyre.
Sipas tij, vjetërsia mesatare e veturave në Kosovë është 17 vjet, sipas raporteve të kësaj ministrie.
Në anën tjetër, Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, ka thënë se “vendimi i qeverise vitin e kaluar për import të çfarëdo lloji te veturave do ta rrisë edhe më shumë vjetërsinë e veturave.”
“Veturat që lëshojnë gazra më shumë nga norma e paraparë të mos lejohen”, ka thënë ai.
Visar Azemi nga KOSID, ka thënë se vetëm gjatë vitit 2014 në Kosovë janë regjistruar 286.505 vetura dhe vetura më e vjetër ka qenë e vitit 1942.
Ai ka thënë se numri i madh i aksidenteve të trafikut bëhet edhe për shkak se veturat nuk kontrollohen me standarde evropiane.
Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se “po e marrim bërllokun e Zvicrës dhe Gjermanisë dhe po shkaktojmë kaos me vetura të vjetra”, duke shtuar se do të tentojë që në Prishtinë të përmirësohet transporti publik në mënyrë që të zvogëlohet numri i përdorimit të veturave.
“E ardhmja jonë është e pasigurt pëe shkak të kësaj gjendje”, ka thënë Ahmeti./Insajderi.com