Për më shumë se 1 muaj që nga zhdukja e shtetases shqiptare në Kosovë, nuk dihet asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Konxhe Ramazani e njohur si “Xheni” punonte si kërcimtare në një klub nate që ndodhet në Orllat. Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me policinë dhe prokurorinë në Pejë, të cilët kanë konfirmuar hetimet intenzive lidhur me këtë rast. Prokurori Ersan Qavolli tha se deri tash janë intervistuar shtatë persona.
Shtetasja nga Shqipëria, Konxhe Ramazani që nga 21 maji i këtij viti rezulton e zhdukur në Kosovë. Ajo punonte si kërcimtare në një klub nate, ndërsa prej disa viteve jetonte në qytetin e Pejës.
Gazeta Insajderi, mëson se klubi ku punonte Konxhe Ramazani, e që njihej si Xheni quhet ‘Te Didi’. Është një klub me muzikë live që gjendet në magjistralen Prishtinë-Pejë, përkatësisht në fshatin Orllat.
Xheni, është nënë e dy fëmijëve, por për fati e saj familjarët nuk kanë asnjë informacion deri tash. Një hetim i gjerë për gjetjen e Xhenit tashmë ka nisur nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë.
Rasti në Policinë e Kosovë ishte raportuar fillimisht nga nëna e saj më 19 maj në ora 20:00 të mbrëmjes. Ajo kishte deklaruar se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj.
“Pejë 19.05.2022-20:00. Me 21.05.2022 një femër shtetase e Shqipërisë me banim në Republikën e Kosovës, ka raportuar se vajza e saj viktima femër është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti është duke u hetuar”, kishte raportuar Policia në raportin e 22 majit.
Gazeta, ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të marrë me shumë detaje për rastin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha për Gazetën Insajderi është duhe u punuar intenzivisht lidhur me këtë rast.
“Lidhur me rastin jemi duke punuar ne mënyrë intensive, hetime rajonale ne bashkëpunim me Policisë e Shqipërisë, gjithashtu është njoftuar edhe prokurori i shtetit”, tha Gashi për Insajderin.
Për hetimet intensive dhe mbledhjen e provave ka folur për Insajderin edhe prokurori i rastit, Ersan Qavolli. Ai ka deklaruar tashmë shtatë persona janë intervistuar lidhur me zhdukjen misterioze të shtetases nga Elbasani.
“Lidhur me rastin tashmë janë intervistuar shtatë persona. Ende jemi në fazën e mbledhjes se provave pasi është një rast i ndjeshëm”, tha Prokurori Ersan Qavolli.
Gazeta Insajderi, merr vesh brenda burimeve të sigurta se edhe nëna e Xhenit dhe i dashuri i saj, janë në mesin e personave që janë intervistuar deri tash.
Nëna e saj është intervistuar të marten nga policia e Kosovës. Ajo e ka konfirmuar vet lajmin për Gazetën Insajderi. /Gazeta Insajderi