Manchester United ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Manchester Cityt në kuadër të javës së 16-të në elitën e futbollit anglez.
Rasti i parë në këtë sfidë i takoi Man Cityt të cilët rrezikuan në minutën e 21-të me Phil Foden, por gjuajtja e tij shkoi pranë shtyllës.
Të besuarit e Pep Guardiolës kaluan në avantazh në minutën e 36-të kur Josko Gvardiol shënoi me kokë për 1-0.
Në pjesën e dytë ‘Djajtë e Kuq’ u këndellën duke arritur që brenda pak minutash të shënojnë dy gola për të kompletuar rikthimin në derbi.
United fillimisht realizoi në minutën e 88-të për të barazuar shifrat në 1-1 përmes Bruno Fernandes i cili u tregua i saktë nga penalltia.
Vetëm pak minuta më vonë, Amad Diallo shfrytëzoi një super pasim të Lisandro Martinez për të shënuar për 2-1 dhe për t’i dhënë tri pikë të reja skuadrës së tij.
Pas kësaj fitoreje Manchester United ngjitet në pozitën e 12-të në tabelë me 22 pikë të grumbulluara, teksa vazhdon kriza e Man Cityt të cilët mbesin në kuotën e 27 pikëve dhe mbajnë pozitën e pestë në tabelë.
MANCHESTER. IS. RED. 🔴#MUFC || #MCIMUN
— Manchester United (@ManUtd) December 15, 2024