Një zjarr ka përfshirë një fabrikë në fshatin Bibaj të Ferizajt mbrëmjen e së dielës.
Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Ferizajt Kanun Veselit, policia dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë pas raportimit të incidentit.
“Patrulla policore dhe njësia zjarrfikësve kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Për këtë rast janë njoftuar hetuesit e stacionit dhe krimteknikët”, tha ai.
Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, ndërsa dëmet materiale vlerësohen të konsiderueshme.
“Zjarrfikësit kanë lokalizuar dhe kontrolluar zjarrin. Dëmet materiale shkaktuara nga zjarri janë të konsiderueshme, por nuk raportohen lëndime në njerëz”, theksoi Veseli.
Prokuroria e Shtetit është njoftuar për rastin dhe po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.