Për shkak të zjarrit pyjor i cili të shtunën shpërtheu në jug të Spanjës janë evakuuar më shumë se 1.000 persona ndërsa stuhia e zjarrit kërcënon Parkun kombëtar, i njohur për nga biodiversiteti i tij, bënë të ditur autoritetet spanjolle.
Për shkak të erërave të fuqishme stuhia e zjarrit të dielën u përhap deri te Parku Kombëtar Donan, një nga rezervatet më të rëndësishme natyrore në Spanjë i cili është shtëpi për rrëqebullin e rrezikuar iberik.
“Zjarri është përhapur brenda kufijve të rezervatit dhe këtu kemi fokusuar përpjekjet tona”, ka thënë Jose Gregorio Fiscal Lopez, nga Shërbimi rajonal për mjedisin, shkruan Anadolu Agency.
Susana Diaz, nënkryetarja e provincës jugore të Andaluzisë tha se popullata nuk është e rrezikuar, pasi që mbi 1.000 persona janë evakuuar në qytetin Moguer, në brigjet jugore.
Ajo shtoi se temperaturat e larta dhe erërat vështirësojnë operacionin në fikejn e zjarrit pyjor.