Situata e zjarreve në vendin tonë vijon të mbetet kritike. Shkak për këtë përveç temperaturave të larta janë edhe erërat në orët e pasdites që vështirësojnë punën për shuarjen e flakëve. Meteorologu Hakil Osmani deklaroi për ABC se gjatë fundit të korrikut temperaturat maksimale kanë qenë në vlerat deri në 11 gradë më shumë se normalet për këtë periudhë të vitit.
“Temperaturat e larta janë ndër faktorët që ndikojnë në zjarre për shkak se gjatë korrikut vendi ynë ka pasur vende shumë të larta, deri në 11 gradë më shumë se vlerat normale. Vlerat termike mbeten të larta deri të enjten në mesditë por mbrëmja edhe e premtja sjell përmirësim duke bërë që vlerat termike të zbresin deri në 36 gradë”, tha ai.
Osmani deklaroi se fundjava do të sjellë temperatura më të ulëta, duke shtuar se 15-ditëshi i dytë i gushtit nuk pritet ta kalojë vlerën 35 gradë, me përjashtim të ndonjë periudhe në rast se Shqipëria preket sërish nga vala afrikane.
“Fundjava do të sjellë sërish në rritje të lehtë me 1 deri në 2 gradë. Jo vetëm vlerat maksimale kanë qenë problematike por edhe ato të mbrëmjes edhe mëngjesit. Ky korrik ka qenë më i nxehtë se vitet e kaluara.
Fundi i korrikut ka sjellë edhe vlera 43 gradë që është vlera më e lartë në katër vitet e fundit. Në 15 ditëshin e dytë të gushtit pritet stabilizim duke bërë që temperaturat maksimale të shkojnë deri në 35 gradë. Nuk përjashtohet mundësia e valëve të të nxehtit edhe në 15-ditëshin e dytë nëse prekemi nga vala afrikane”, u shpreh Osmani. /abcnews.al