Një zjarr i madh ka shpërthyer pas mesnate në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Biznesi “GO Karting” është përfshirë nga ky zjarr. Një person është lënduar e 20 vetura janë dëmtuar. Detaje për Insajderin kanë dhënë edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj konfirmoi për Insajderin se është intervistuar një person i dyshuar për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Prokuroria po dyshon se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia.
“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë veprime hetimore nga vendi i ngjarjes, e po ashtu, Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime, për t’i sqaruar rrethanat e rastit, ndër tjerash, janë marrë pamjet nga kamerat, është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari (bashkëpronari i biznesit), për shkak të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’, sipas Kodit Penal”, ka thënë ajo.
“Në bazë të provave të siguruara deri më tani, rezulton se i njëjti dyshohet ta ketë kryer këtë vepër penale nga pakujdesia”, tha zëdhënësja.
Ulaj shtoi se rasti po vazhdon të hetohet tutje në bashkëpunim me njësitë relevante.
Detaje për Insajderi ka dhënë zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti e cila konfirmoi se një person është lënduar si dhe 20 vetura të parkuara janë kapluar nga zjarri.
“Sot rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi që merret me qiradhënje veturash. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale” , ka thënë ajo.
Ahmeti bëri me dije se personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.
E pas lokalizimit të zjarrit, hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse Ahmeti tha se po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Lexo edhe: