
Prokuroria e Shteti ka nisur hetimet për të gjetur shkaktarin e zjarrit që përfshiu sot dy zyre brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Për Insajderin kanë njoftuar se me urdhër të prokurorit janë lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes për të parë nëse ka elemente të veprës penale.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.
Përgjigja e Prokurorisë:
Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së.
Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.