Një incident zjarri ka ndodhur në orët e hershme të së dielës në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka reaguar menjëherë pas incidentit, duke njoftuar se zjarri është shuar nga ekipet e zjarrfikësve.
“Sot, më 30 qershor 2024, rreth orës 02:00 të mëngjesit, u lokalizua një zjarr në një nga korridoret e daljes emergjente të Institutit të Mjekësisë Ligjore nga stafi i kujdesit të ndërhyrjes në IML dhe u shua nga ekipet e zjarrfikësve. Në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm njësitë policore, si dhe ekspertët e zjarrit dhe elektroteknikës. Sipas vlerësimeve preliminare, shkaku i zjarrit ka qenë një defekt elektrik në një pajisje elektrike në korridor, megjithatë mendimi përfundimtar do të jepet pas ekspertizës finale që do t’i dorëzohet Prokurorisë. Dëmi material është i konsiderueshëm”, thuhet në njoftim.
IML gjithashtu njofton se objekti do të nënshtrohet një procesi renovimi, i cili përfshin instalimin e sistemit kundër zjarrit.
“Me këtë rast, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se IML pritet të fillojë procesin e renovimit, i cili kushton rreth 900,000 euro dhe do të nisë sapo të përfundojnë procedurat e prokurimit, që aktualisht janë në fazën e ofertimit të operatorëve ekonomikë dhe parashihet të përfundojnë më 2 korrik. Renovimi do të përfshijë instalimin e sistemit kundër zjarrit, zëvendësimin dhe riparimin e instalimit elektrik, ventilimin dhe klimatizimin e ri, si dhe ridizajnimin e hapësirave të punës”, thuhet në njoftim.
Ky nuk është incidenti i parë me zjarr që ka ndodhur në këtë institut, pasi disa muaj më parë objekti i IML-së ishte përfshirë nga një zjarr që shkaktoi dëme materiale të konsiderueshme. Pas këtij incidenti, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 520,000 euro për renovimin e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ky nuk është incidenti i vetëm me zjarr që ka ndodhur në këtë objekt.
Para disa muajsh, objekti i IML-së, ishte përfshirë nga zjarri ku u shkaktuan dëme materiale.
Pas kësaj, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 520 mijë euro për renovimin e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Detyrat e Instituti të Mjekësisë Ligjore janë këto: sigurimin e ekspertizës mjekoligjore për organet publike, udhëheqjen e hetimeve mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, kryerjen e zhvarrosjeve, kryerjen e inspektimeve pas vdekjes dhe kryerjen e autopsive.