Zona mbi “Xhaminë e Llapit” në kaos pas ndalimit të autobusëve nga Podujeva – qytetarët presin në rrugë, bllokojnë qarkullimin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zona mbi “Xhaminë e Llapit” në kaos pas ndalimit të autobusëve nga Podujeva – qytetarët presin në rrugë, bllokojnë qarkullimin

    Insajderi
    26 May 2025 - 13:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Banorët pranë “Xhamisë së Llapit” në Prishtinë po përballen me kaos të përditshëm, pas ndalimit të autobusëve nga Podujeva për të hyrë në qytet. Ata tani lejohen të kalojnë vetëm përgjatë rrugës “Zagrebi”, afër shkollës “Model”, ku mungesa e stacioneve ka detyruar qytetarët të presin në rrugë, duke bllokuar qarkullimin.

    Sipas qytetarëve, rruga në këtë zonë, e cila është një ndër më të frekuentuarat nga automjetet, është bërë e pakalueshme, ndërkohë që shkallët publike përreth përdoren nga banorët si pritore të improvizuara për autobusë, duke penguar qarkullimin dhe rritur rrezikun për ndonjë aksident të mundshëm.

    Situata përkeqësohet sipas ankesës së qytetarëve adresuar Insajderit, sidomos në orët e pasdites, kur lirohen nxënësit e shkollës fillore aty pranë.

    “Çdo ditë e kemi të njëjtin hall – nuk kemi ku të ecim, nuk kemi ku të presim autobusët. Fëmijët dalin nga shkolla dhe nuk kanë ku të kalojnë nga turma e njerëzve që presin në shkallë dhe trotuare.”, tha një qytetar.

    “Pritja në rrugë është bërë e rrezikshme, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Rruga është gjithmonë e bllokuar dhe askush nuk merr përgjegjësi.”, tha një tjetër.

    “Ne nuk jemi kundër autobusëve, por kjo që po ndodh është pa organizim. Komuna thotë se nuk është faji i tyre, por ne jemi ata që po vuajmë pasojat“, tha banori i lagjes përreth.

    “Kur e dinë që po i ndalojnë autobusët, le të caktojnë ndalesa të rregullta, jo të na i kthejnë shkallët dhe rrugët në stacione!”, ishte ankesa tjetër.

    Mungesa e stacioneve të përcaktuara për ndalesën e autobusëve ka bërë që qytetarët të presin në rrugë, duke rrezikuar sigurinë dhe rënduar qarkullimin, madje duka ua pamundësuar lëvizjen e lirë edhe banorëve rezident, që e kanë të pashmangshme ta përdorin këtë segment rrugor.

    Komuna ia hedh fajin ministrisë

    Në përgjigje të shqetësimeve, Komuna e Prishtinës ka sqaruar përmes ekspertit të saj për digjitalizim dhe telekomunikacion, Luftar Braha, se situata nuk është pasojë e një vendimi komunal, por rezultat i kundërvajtjeve të operatorëve të licencuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    “Situata që përshkruani nuk buron nga ndonjë vendim i komunës, por nga kundërvajtjet e vazhdueshme të operatorëve ndërurbanë të licencuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e tij për Insajderin duke shtuar se janë të informuar lidhur me problematiken.

    Ai ka përmendur se janë marrë disa masa konkrete, përfshirë; vendosjen e sinjalistikës për vendndalimin e autobusëve dhe pastrimin e nënkalimeve.

    “Jemi plotësisht të informuar dhe po punojmë ngushtë me Inspektoratin e Komunës, Ministrinë e Mjedisit dhe Policinë e Kosovës për të adresuar këtë çështje. Si masë konkrete, kemi caktuar një vendndalim të shënuar për autobusët ndërurbanë në segmentin përkatës – por pavarësisht sinjalistikës, disa operatorë vazhdojnë të ecin jashtë rregullave”, ka thënë Braha.

    “Për të eliminuar qasjet e paligjshme, e kemi pastruar nënkalimin, kemi porositur rrethoja për të mbyllur vendkalimet informale dhe së shpejti do të demolojmë edhe shkallët e ndërtuara pa leje”.

    Komuna ka paralajmëruar se do të kërkojë revokimin e licencave për operatorët që nuk i respektojnë rregullat dhe që nuk përdorin Stacionin e Autobusëve, siç parashihet me ligj.

    “Në anën tjetër, përmes konstatimeve të shkeljeve të zakonshme të opratorëve, mospërdorimit të Stacionit të Autobusëve, së shpejti do të kërkojmë nga Ministria dhe Inspektorati i Ministrisë, revokimin e licensave të operatorëve kundërvajtës”, tha ai për Insajderin.

    Për këtë çështje, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nga e cila pritet një sqarim lidhur me licencimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve ndërurbanë, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur përgjigje nga ana e tyre.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark