×
  • Lajme
  • Lajme

    ZPS-ja thotë se dëshmitari i 73’të ka njohuri për mënyrën e funksionimit të Shtabit të Përgjithshëm

    Insajderi
    24 June 2024 - 11:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK) në Hagë, ka nisur dëshminë e tij ish-ushtari i UÇK-së, Kurtesh Fondaj.

    Ai është dëshmitari i 73-të i Prokurorisë në Gjykatë.

    Sipas përmbledhjes së paraqitur nga ZPS-ja në Gjykatë, Fondaj është ish-ushtar i UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut.

    Sipas Prokurorisë ai ka njohuri për mënyrën se si ka funksionuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

    “Dëshmitari me numër 4744 është ish-ushtar i UÇK-së. Do të flasë për mënyrën se si ka funksionuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, ka thënë prokurori, Matthew Halling në seancën e së hënës.

    Pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, u arrestuan më 4 e 5 nëntor 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë.

    Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

    Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark