
Zyra e Rregullatorit për Energji ka licencuar për tregti me energji elektrike kompaninë “Management & Development Associates L.L.C.”, e cila drejtohet nga vëllai i Luan Dalipit, shef i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ky vendim ka ngjallur reagime dhe kritika të ashpra nga opinioni publik dhe partitë opozitare, të cilat kanë ngritur shqetësime për një rast të mundshëm të konfliktit të interesit dhe favorizimit të afërmve të pushtetit.
Luan Dalipi ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si “trillime dhe insinuata dashakeqe të portaleve dhe politikanëve të opozitës”.
Ai ka deklaruar se licencimi është bërë sipas kritereve ligjore dhe se licencat për tregti me energji nuk janë të kufizuara, por të hapura për të gjitha kompanitë që i plotësojnë kushtet.
“Nuk ka asnjë detyrim që ndonjë biznes të blejë energji nga ndonjë kompani e caktuar. Sa më shumë operatorë, aq më shumë konkurrencë dhe çmim më i ulët për konsumatorin”, shkroi ai në Facebook.
Ai pretendoi se sulmet ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe të ndërlidhura me pakënaqësinë e disa mediave, pas ndërprerjes së kontratave njëburimore nga Qeveria Kurti; kontrata që, sipas tij, kishin qenë burim i të ardhurave të dyshimta në qeveritë e kaluara.
Për të përforcuar argumentet e tij, Dalipi publikoi të dhëna që pretendojnë se Qeveria Kurti ka shpenzuar shumë më pak për kontrata me media krahasuar me qeveritë e mëparshme të udhëhequra nga AAK, PDK dhe LDK.
Ai përmendi edhe përvojën e tij në Departamentin Amerikan të Tregtisë dhe në vetë kompaninë MDA, duke e cilësuar veten si “profesionist me histori të ndërtuar mbi punë të ndershme dhe integritet”./Insajderi