
Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka bërë një reagim publik, pas aksionit të zhvilluar në objektin e ZRrE-së nga aktivistët e grupit “asnjë cent më shumë”, të cilët ishin mbledhur për të kundërshtuara rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në reagimin ZRrE thuhet se janë të vetëdijshëm për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyrave të ZRRE-së, shkruan Insajderi.
“ZRRE respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi”, thuhet tutje në njoftim.
Më tutje nga ZRre kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave.
“Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE, konform mandatit te saj”.
Aktivistët e grupit “Asnjë cent më shumë” janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit që zhvilluan para objektit të ZRRE-së.
Pas arrestimit të tyre, ky grup ka reaguar duke thënë se shteti është në shërbim të KEDS.
Në reagimin për media të “Asnjë cent më shumë” thuhet se policia arrestoi brutalisht 12 qytetarë.