Votuesit në Zvicër e kanë hedhur poshtë propozimin për bazën e garantuar të të ardhurave për të gjithë shtetasit dhe banorët për një kohë të gjatë, për të cilin mbështetësit thonë se do të promovonte dinjitet në shoqëri.
Ky propozim u refuzua në referendumin e sotëm, ku ishte shtruar pyetja se a dëshriojnë që të gjithë shtetasit e Zvicrës dhe të jashtmit, që kanë të drejtë të qëndrimit për së paku pesë vite, të marrin të ardhura bazë të pakushtëzuara, me ç’rast nuk do të kërkohej punë.
Kjo nismë u refuzua, meqë afro 77% të votuesve ishin kundër propozimit.
Sipas propozimit, do të garantohej që secili i rritur i kualifikuar ta kishte një minimum të të ardhurave mujore prej 2,500 frankash zvicerane (afro 2,535 dollarë amerikanë), ndërsa secili fëmijë do t’i kishte të siguruara nga 625 franka zvicerane.
Qeveria e Zvicrës e ka kundërshtuar këtë propozim, duke thënë se për financimin e kësaj mase do të duhej të bëheshin shkurtime në buxhet ose ngritje të taksave.
Nismëtarët e kësaj mase, megjithatë kanë vlerësuar se referendumi ishte “sukses senzacional” meqë e ka nxitur debatin e mëtejmë për këtë çështje.