
Kontrabanda e cigareve në Zvicër po njeh rritje të konsiderueshme, dhe sipas burimeve mediatike, Kosova përmendet si burimi kryesor.
Cigaret e kontrabanduara apo të falsifikuara janë të vështira për t’u dalluar, por përbëjnë një problem në rritje të vazhdueshme. Gjatë vitit të kaluar, në tregun zviceran hynë gjithsej 300 milionë cigare, një rritje prej 50 përqind krahasuar me vitin 2020. Kjo shifër përkon me 15 milionë pako cigare.
Për ta konsumuar këtë sasi, 1,000 njerëz do të duhej të pinin një pako në ditë për 41 vjet.
Dëmi financiar është i konsiderueshëm, mediat zvicerane, duke iu referuar një raporti të gjerë, shkruajnë se autoritetet tatimore të Zvicrës humbën 76 milionë franga vetëm nga taksat e duhanit gjatë vitit të kaluar.
Studimi është realizuar nga firma konsulente KPMG, e cila analizoi konsumin e paligjshëm të cigareve në 38 tregje të ndryshme në Evropë.
Ajo që bie në sy në raportimin e mediumit zviceran Blick.ch është se pjesa më e madhe e cigareve të futura ilegalisht në Zvicër vijnë nga Kosova (80 milionë), Serbia (20 milionë) dhe Portugalia (10 milionë).
Ndërkohë, më shumë se gjysma e cigareve të kontrabanduara nuk mund të identifikoheshin saktë në aspektin gjeografik.
Nga ana tjetër, ndërsa shitjet e cigareve të ligjshme në Zvicër kanë rënë nga 9 miliardë në 7.5 miliardë midis viteve 2020 dhe 2024, kontrabanda është rritur ndjeshëm me 50 përqind në të njëjtën periudhë.
Aktualisht, cigaret e paligjshme përbëjnë 3.5 përqind të konsumit total në Zvicër – një përqindje relativisht e ulët, por me një trend rritës që po shqetëson autoritetet.
Në nivel evropian, në vitin 2024 u konsumuan gjithsej 52.2 miliardë cigare të paligjshme, që përfaqësojnë rreth 10 përqind të tregut total.
Franca është veçanërisht e prekur, me mbi dy miliardë cigare të paligjshme më shumë të konsumuara në vitin 2024 krahasuar me vitin e kaluar. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu qëndron dukshëm mbi mesataren evropiane, me 26 përqind të tregut të saj të zënë nga cigaret e paligjshme.
Sipas KPMG, humbjet e autoriteteve tatimore në 38 tregjet e analizuara kapin shifrën e 19.4 miliardë eurove.