×
  • Lajme
  • Lajme

    Zvicra e dëbon një serb, kjo është arsyeja

    Insajderi
    12 August 2021 - 09:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata e Qarkut e Dietikonit (Kantoni i Cyrihut) e ka dënuar një 45-vjeçar serb nga Dietikoni për pornografi të shumëfishtë dhe e ka dëbuar atë për pesë vjet nga vendi. I dënuari ka jetuar në Zvicër për rreth dy dekada, shkruan Limmattaler Zeitung.

    Këtu ai ka rritur dy fëmijët e tij tashmë në moshën madhore dhe këtu është fejuar rishtas. Por ai nuk ka më të ardhme në Zvicër. Sepse rasti është i qartë: pornografia është një nga veprat penale, për të cilat ligji zviceran parashikon dëbim automatik nga vendi.

    Gjykatat mund të bëjnë përjashtim nga dëbimi vetëm për rastet e ashtuquajtura “të rënda” personale – veçanërisht kur bëhet fjalë për të huajt e lindur dhe rritur në Zvicër. Sidoqoftë, personi i dënuar 25 vjetët e para ose më shumë i kishte kaluar në Kosovë, ku i përkiste pakicës serbe.

    Gjyqtari Hoffmann, duke arsyetuar vendimin për dëbim, po ashtu ka thënë: “Serbia nuk është zonë lufte, por një vend normalisht i zhvilluar. I dënuari flet gjuhën serbe edhe më mirë se gjermanishten”, përcjell albinfo.ch. Për më tepër, gjatë procesit gjyqësor atij i ishte nevojitur mbështetja e një përkthyesi gjyqësor serb.

    Profesioni i tij, ndërtimtaria, “sigurisht që mund të ushtrohet edhe në Serbi”, ka vazhduar gjyqtari. Gjithashtu, nëna e të dënuarit ende jeton në Serbi.

    Gjithashtu argumentimi, sipas të cilit personi i dënuar mund të ketë vështirësi në vendlindjen  e tij aktuale, e cila sot i përket Kosovës, si pjesëtar i pakicës serbe, nuk është arsye për të hequr dorë nga dëbimi. Sipas gjyqtarit:  “Ai mund të zgjedhë se ku dëshiron të shkojë”.

    Gjykata u pajtua me të akuzuarin vetëm në një pikë: Ajo heq dorë nga futja e emrit të të dënuarit në sistemin e informacionit të Shengenit. Kështu, “zona e BE -së është gjithashtu e hapur për të” ka thënë tutje gjyqtari Hoffmann.

    Cilat delikte pra kanë shpënë në dëbimin e personit në fjalë?

    “Corpus Delicti” ishte mesenxheri i Facebook-ut Përmes këtij programi chat, ai kishte përcjellë një video shqetësuese në të cilën dy djem të mitur kryenin veprime seksuale mbi një gomar. Pastaj, në vend që ta fshinte videon ose të raportonte në polici pasi e kishte marrë, ai ia kishte përcjellë videon një shoku. Mbi një muaj më vonë, ai ia kishte dërguar edhe një shoku tjetër.

    Ai thotë se nuk dinte se veprimet e tij ishin të ndaluara

    Sot serbi që u gjykua është shprehur i turpëruar për veprimet e tij – ai e tha këtë disa herë gjatë seancës gjyqësore që u mbajt të mërkurën në mëngjes. Ai gjithashtu është penduar dhe tha se i vinte shumë keq për këtë çështje. Por, sipas tij, ai nuk e dinte që përcjellja e videos ishte veprim kundërligjor.

    “Është e vështirë të besosh në një hap të gabuar aksidental ose të njëhershëm nëse atë (videon) e ke dërguar dy herë”, ka thënë gjyqtari gjatë marrjes në pyetje.

    “Unë nuk i kam shikuar fotografitë siç duhet. Unë e përcolla videon vetëm për të treguar se çfarë ka në këtë botë”, ka deklaruar i pandehuri. Atij i ishte dukur video shqetësuese ose të paktën befasuese – aq shqetësuiese sa që ua ka thënë këtë edhe miqve të tij, duke ua përcjellë, transmeton albinfo.ch. Sidoqoftë, kjo nuk ishte ide e mirë. Kushdo që lëviz në hapësirën dixhitale lë gjurmë. Sidomos kur bëhet fjalë për materiale kriminale.

    Se si kanë mësuar autoritetet për serbin nuk është diskutuar në gjyq.

    Pak më shumë se një vit pasi personi tashmë i dënuar kishte dërguar videon për herë të dytë, në korrik 2021, prokurori publik për Limmattal / Albis kishte ngritur akuzën për pornografi të shumëfishtë.

    Prokuroria kishte kërkuar në Gjykatën e Qarkut në Dietikon që autori të paguante një gjobë prej 2,000 frangash. Dhe që atij t`i shqiptohej një gjobë me kusht prej 120 njësish ditore prej 90 frangash – gjithsej 10,800 franga. Madje as prokurori publik nuk kishte kërkuar dëbimin e tij nga vendi dhe ndalimin e aktiviteteve me fëmijë.

    I dënuari nuk përbën rrezik për fëmijët, thotë gjykata

    Gjykata e Qarkut ka hequr dorë nga ndalimi i aktivitetit me fëmijë, pasi i dënuari nuk përbën rrezik për fëmijët dhe gjithashtu nuk tregon tendenca pedofilie. Lidhur me gjobën me kusht, gjykata ka miratuar kërkesën e prokurorit. Por gjykata ka hequr dorë nga gjoba shtesë, e pakushtëzuar prej 2000 frangash. Megjithatë, ajo e ka detyruar të dënuarin të paguajë kostot procedurale në shumën prej 3600 frangash.

    Avokatja dështoi me kërkesën e saj për pafajësi

    Avokatja e serbit kishte kërkuar lirimin nga akuza, sepse i akuzuari i ishte nënshtruar një gabimi ligjor. Por argumenti saj doli i pasuksesshëm.

    “Ai ka thënë vetë se fotografitë e kishin tronditur atë. Ai të paktën duhet që nga kjo të kishte marrë idenë se ato janë të ndaluara. Prandaj këtu nuk mund të bëhet fjalë për gabim të pashmangshëm”, është shprehur gjyqtari Hoffmann. Për të si gjyqtar ishte e qartë se fakti që i dënuari nuk kishte motive seksuale ose të ngjashme nuk ndryshon rrethanën se duke përhapur  videot ai ka kontribuar në një rrezik edhe më të madh të përhapjes së mëtejshme të pamjeve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark