Zyra e Kurtit ia jep gjashtë mijë euro biznesmenit të PDK-së për ndërrimin e pjesëve të veturave – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyra e Kurtit ia jep gjashtë mijë euro biznesmenit të PDK-së për ndërrimin e pjesëve të veturave

    Insajderi
    02 November 2023 - 15:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’e priti mirë protestën e Njësisë Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës. Kurti, përkundër që pjesëtarët e NJSI-së nuk i kanë pasuri personale, tha se zyrtarët e kësaj njësie kanë pajisje në vlerë prej afro 10 mijë euro. Hiç më larg se para tri ditësh, Zyra e Kurtit nënshkroi kontratë në vlerë prej 6,026 eurosh për furnizim me pjesë të automjeteve me kompaninë e biznesmenit të PDK-së, Arsim Sfishtës.

    “Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro”, ishte shprehja e Kurtit që ngjalli reagime mbrëmë pas protestës së FIT-it si shenjë pakënaqësie për propozimin e Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë, raporton Gazeta Insajderi.

    Reagime negative për protestën e FIT-it pati edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai pretendoi se të ardhurat mesatare të një pjesëtari të kësaj njësie ishin 2.200 euro.

    “Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, deklaroi Sveçla.

    Nga protesta e djeshme, FIT-i kërkuan të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

    Ndonëse Kurti po e kursen buxhetin për pjesëtarët e FIT-it, nga Zyra e Kryeministrit po tregohen “bujarë” duke i dhënë gjashtë mijë euro për t’ua ndërruar filterat dhe disa pjesë të tjera pesë veturave zyrtare.

    Sipas dosjes së tenderit, katër veturave zyrtare të modelit Toyota Landcruiser, Volkswagen Tiguan, Reno Clio dhe Golf 7 nevojitet t’i ndërrohen filterat e vajit, ajrit, klimës dhe vaji i motorit. Ndërkaq, veturës së modelit Toyota Raw4 t’i ndërrohet ndërruesi manual i shpejtësisë.

    Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se kontratën prej 6,026 eurosh për ndërrimin e pjesëve të veturave ia ka besuar kompanisë “Sfishta Auto Home” SH.P.K, e cila është në pronësi të biznesmenit të PDK-së, Arsim Sfishtës.

    Sipas njoftimit, kontrata është dhënë përmes vlerësimit të çmimit më të ulët.

    Kjo nuk është hera e parë që Qeveria Kurti po e shpërblen me tender biznesmenin e PDK-së. Për shërbimin e servisimit të veturave “Sfishta Auto Home” ishte kontraktuar nga Zyra e Kryeministrit edhe vitin e kaluar, në një kontratë në vlerë prej 30 mijë eurosh.

    Sfishta në zgjedhjet e fundit lokale që janë mbajtur në Kosovë, ka qenë kandidat i PDK-së për asamble të Komunës së Prishtinës. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark