×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyra e Prokurorit në Bosnje inicion rastet e para nën Ligjin për mohim të gjenocidit

    Insajderi
    28 July 2021 - 17:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra e Prokurorit në Bosnje-Hercegovinë ka thënë të mërkurën se ka iniciuar disa raste, nën ligjin e ri që mohon gjenocidin në këtë shtet.

    Kjo Zyrë ka thënë se ka iniciuar rastet pas pranimit të ankesave nga qytetarët.

    Zëdhënësi, Boris Grubeshiq i ka thënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë më 28 korrik, se ankesat janë bërë pasi Valentin Inzko, Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar, në shkuarje, për Bosnje-Hercegovinë, ka përdorur autoritetin e tij për të ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës, ashtu që ndalon dhe ndëshkon mohimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe shumë krime tjera.

    “Pasi bërjes publike të vendimit nga Përfaqësuesi i Lartë më 23 korrik, në ditët në vazhdim, ne kemi nisur të pranojmë raportime nga disa qytetarë, andaj edhe rastet janë hapur”, ka thënë Grubeshiq për Radion Evropa e Lirë.

    Ai nuk ka dhënë hollësi sa raste janë hapur deri më tani.

    Vendimi ka hyrë në fuqi më 28 korrik, një ditë pasi është publikuar në Gazetën Zyrtarë të Bosnjës.

    Zyra e Prokurorit ka thënë më herët se do të vëzhgojë postimet nëpër rrjetet sociale, për deklarata që mohojnë apo zvogëlojnë rastet e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

    Aty është thënë se prokurorët do të monitorojnë deklaratat publike, të bëra nga individët apo asociacione që shkelin ligjin e ri.

    Ndryshimet në Kodin Penal të këtij shteti përfshijnë edhe dënime me burg deri në pesë vjet për ata që mohojnë gjenocidin apo madhërojnë kriminelët, ka thënë Inzko më 23 korrik.

    Përfaqësues të partive politike nga Republika Sërpska, kanë marrë vendim që, nga dita e hënë, 26 korrik, nuk do të marrin pjesë në punime dhe vendimmarrje të institucioneve shtetërore të Bosnje-Hercegovinës, apo në Parlamentin e këtij shteti, Këshillin ministror dhe kryesinë e Bosnje-Hercegovinës.

    Përfaqësues të partive nga Republika Sërpska, entitet në Bosnje-Hercegovinë, kanë thënë se nuk e pranojnë vendimin e Inzkos.

    Mirko Sharoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, ka thënë se është plotësisht e qartë se kurrë më nuk do të pranojnë asnjë vendim të Përfaqësuesit të Lartë.

    Anëtari serb i kryesisë trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë se përfaqësuesit politikë të serbëve, nuk do të marrin më pjesë në vendimmarrje, derisa nuk shqyrtohet sesi do të anulohet ky vendim.

    “Nuk do të jetoj në një shtet, ku dikush në faqen e vet mund të marrë vendime”, ka thënë Dodik.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark