Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që të marrë masa për t’ia ndaluar KEDS-it ndërprerjet e energjisë që ua bën kjo e fundit konsumatorëve kosovarë.
“Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka shqyrtuar të gjeturat nga verifikimi i ndërprerjeve të planifikuara të energjisë nga KEDS-i. Verifikimi fillestar i parregullsive të prezantuara nga Komisioni i ZRRE-së ka krijuar bazë të mjaftueshme për Bordin e ZRRE-së që të reagojë ndaj të gjithë procesit të mirëmbajtjes së planifikuar”, ka njoftuar ZRrE-së.
E reagimi nënkupton ndalimin e përkohshëm të ndërprerjes së energjisë elektrike.
“Lidhur me këtë, Bordi i ZRRE-së ka ndaluar përkohësisht ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike për qëllim të mirëmbajtjeve të planifikuara nga Operatori i Rrjetit të Shpërndarjes (KEDS), përpos mirëmbajtjeve të domosdoshme të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e ZREE-së.
Në anën tjetër, Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, ka thënë se po shqyrtohen një nga një të gjithë largpërçuesit dhe po intervenohet në secilin që paraqitet e nevojshme.
Sipas tij, së shpejti pritet që të rregullohet gjendja e furnizimit me energji elektrike, njofton Zëri.
”Jo, nuk ka reduktime. KEDS, në kuadër të investimeve është duke bërë revizionimin e plotë të tensionit të mesëm të Rrjetit Distributiv. Po shqyrtohen një nga një të gjithë largpërçuesit dhe po intervenohet në secilin ku paraqitet e nevojshme,” ka thënë ai.