
Dogana e Kosovës ka njoftuar sot për zbulimin dhe parandalimin e një rasti të kontrabandës me mallra të dyshuara si të falsifikuara në Pikën Kufitare të Vërmicës, ku janë arrestuar një zyrtar doganor dhe një transportues.
Sipas komunikatës zyrtare, Njësitë Antikontrabandë, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, kanë ndërmarrë një operacion të planifikuar gjatë të cilit është identifikuar një tentim për të futur në Kosovë mbathje sportive me marka të mbrojtura, duke shmangur kontrollin doganor dhe pagesën e detyrimeve.
“Hetuesit e Doganës, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Nga hetimet janë siguruar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se zyrtari doganor nuk ka përmbushur detyrat ligjore duke mundësuar hyrjen e mallrave të kontrabanduara,” thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë dy persona:
Zyrtari doganor, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”;
Vozitësi i automjetit transportues, për veprat penale “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e detyrimeve doganore”.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të brendshëm, duke theksuar se do të ndjekë penalisht çdo rast të abuzimit me detyrën dhe veprimtari të paligjshme që dëmtojnë ekonominë e vendit./Insajderi