Përderisa Qeveria Kurti duket se nuk po i vlerëson si të denja paraqitjet televizive të Rron Gjinovcit, Krenar Shalës, Sadri Ramabajës e të tjerëve, e njëjta nuk po ndodh me analistin nga Peja.
Paraqitjet e Gazmir Racit duket se vlerësohen si serioze nga Qeveria Kurti.
Ai shfaqet në emision televiziv “Rubikon”. Aty prezantohet si analist i pavarur nga moderatori i emisionit.
Raci së fundmi siç merr vesh Gazeta Insajderi në një konkurs të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u vlerësua si kandidat i suksesshëm.
Gazmir Raci është përzgjedhur në pozitën “Zyrtar i Antenës për Sekretariatin e Përbashkët Teknik (SPT) për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi- Kosovë në kuadër të IPA III (2021 – 2027)“.
Në bazë të njoftimit të publikuar me 14 maj 2024, Gazmir Raci u vlerësua me 93 pikë.
I pyetur nga Gazeta Insajderi rreth pozitës që do mbaj analisti Raci, tha se kjo është një ri-marrëveshje dhe se fondet janë nga Bashkimi Evropian.
“Unë punoj aty që nga viti 2017, është program i BE-së, ka pas një proces të ri ka ndodh një ri-marrëveshje dhe se fondet janë nga Bashkimi Evropian. Ka pas konkurs dhe kam qenë i vetmi kandidat“, tha Raci.
Siç mëson Gazeta Insajderi, ai do këtë një rrogë të mirë në mbi 1500 euro.
Lidhur me detaje të tjera nga ky konkurs Insajderi ka dërguar pyetje edhe në MAPL, por që nuk ka marrë përgjigje.
Lidhja e Racit me Kurtin
Analisti Gazmir Raci është i njohur si pro-qeveritar, ai mbështet vazhdimisht veprimet e Qeverisë dhe liderin Kurti.
Raci dikur u bë i njohur për frazën e tij “Stay Strong Brother” të cilën e tha gjatë takimit midis liderëve të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, përkatësisht Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel më 18 gusht.
Përkrahjen Kurtit ia kishte shprehur me frazën e tij Stay Strong Brother”, përcjellur me një zemër.
“Stay Strong Brother <3”, shkroi Raci atëkohë.