Niklas Süle dhe Sebastian Rudy janë zyrtarisht dy lojtarët më të rinj të Bayernit. Më saktë, ata do të jenë duke nisur nga 1 korriku i ardhshëm, siç klubi bavarez njoftoi sot nëpërmjet faqeve të veta zyrtare, pasi deri në fund të sezonit do të vazhdojnë të luajnë te Hoffenheim.
E përditshmja gjermane “Bild” e pati zbuluar këtë lajm ekskluzivisht që më datë 18 dhjetor. 21-vjeçari Süle është qendërmbrojtës dhe do të rivalizojë me dy lojtarët e kombëtares gjermane, Mats Hummels dhe Jerome Boateng, ndërsa Rudy luan edhe si mbrojtës i djathtë, edhe si mesfushor, shkruan Telesport.
“Kalimi në Mynih për mua është absolutisht një ëndërr. Dua të fitoj tituj këtu”, u shpreh 27-vjeçari për sajtin e klubit bavarez. Süle shtoi: “Jam i lumtur që do të luaj me një nga skuadrat më të mira në botë duke nisur nga vera.”
Rudy do të transferohet në “Allianz Arena” me kosto zero, meqë kontrata aktuale i përfundon në qershor. Ai do të firmosë për tre sezone me rekordmenët.
Ndërkohë, për Sülen janë paguar 20 milionë euro. Shtatlarti do të “blindohet” deri në vitin 2022. “Këto dy blerje janë investime për të ardhmen tonë”, u shpreh Karl-Heinz Rummenigge, shef i përgjithshëm i klubit. /Insajderi.com