×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtarët e korruptuar të Bali Muharremajt të AAK’së e pranojnë fajësinë

    Insajderi
    24 October 2024 - 13:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy zyrtarë të Komunës së Suharekës, Berat Kabashi dhe Beqir Berisha janë dënuar me 6 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prizren. Por, pasi të njëjtit kanë pranuar fajësinë kanë arritur marrëveshje me prokuroren e rastit, duke iu zëvendësuar burgun me gjobë. Secili do të paguaj nga 3 mijë euro, shkruan Insajderi.

    Vendimi është marrë ditën e martë.

    Sipas prokurores së rastit, Ervehe Gashi njoftojë se marrëveshje me palët është arritur me 18 tetor, propozimi i saj është aprovuar nga gjykata.

    Për çka akuzoheshin zyrtarët vartësit e Bali Muharremajt?

    Sipas aktakuzës, prej datës 22 maj 2018 deri më datë 22 tetor 2018 në Suharekë, i akuzuari Beqir Berisha, në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, dhe i akuzuari Berat Kabashi, në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit të njëjtë, kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt, duke vepruar në kundërshtim me nenin 61 të rregullave dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ – kryetarit të Komunës së Suharekës.

    Sipas aktit akuzues, i pandehuri Kabashi, kishte bërë ndryshime në paramasat dhe parallogaritë e projektit pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ, që është kryetari i Komunës së Suharekës, ndërsa i akuzuari Berisha, kishte aprovuar këto ndryshime gjatë ekzekutimit të punimeve.

    Në aktakuzë thuhet se, në poligonet sportive në fshatrat Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profile metalike të plastikëzuara, ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara. Po ashtu, aty thuhet se në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë, ashtu që në vend të shtrimit të fushës me betonarme, bëjnë shtrimin e fushës sportive me bar natyral.

    Në aktakuzë thuhet se për shkak të këtyre ndryshimeve, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëmtim material në shumën prej 6 mijë e 839 euro e 42 centë, ndërsa operatorit ekonomik “AAB Construction” SHPK me seli në Prishtinë i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumën prej  6 mijë e 839 euro e 42 centë.

    Me këto veprime, të akuzuarit e lartcekur ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafi 2, pika 2.1 dhe lidhur me nenin 31 të KP-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark