Zyrtari i DASh-it godet Kurtin: Shkeli “vijën e kuqe” me përpjekjen për bllokim të Listës Serbe - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtari i DASh-it godet Kurtin: Shkeli “vijën e kuqe” me përpjekjen për bllokim të Listës Serbe

    Insajderi
    23 September 2025 - 23:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në Washington ka thënë se veprimet e qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë çuar në pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, vendimi u motivua nga “kalimi i vijës së kuqe”, mes tjerash përmes përpjekjeve për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

    “Gjëja e vetme që do ta theksoja veçanërisht, që për ne ishte më shqetësuese, ishin përpjekjet konkrete për t’ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast serbëve të Kosovës, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, si në kuptimin e gjerë ashtu edhe në pozitat udhëheqëse në institucione”, citohet nga mediumi Koha të ketë thënë zyrtari.

    Zyrtari i ka thënë mediumit se nuk është një incident i izoluar, por vazhdimësi e disa hapave që, siç u shpreh ai, kanë thelluar përçarjet dhe kanë shtuar pasigurinë brenda Kosovës dhe në rajon.

    “Ka një varg veprimesh më gjerësisht, lidhur me veriun, që mendojmë se do të ishin destabilizuese dhe për të cilat kemi ngritur shqetësime. Por, mendoj se gjëja kryesore që duam të theksojmë janë veprimet që do t’ua mohonin qytetarëve të Kosovës të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, ka thënë zyrtari i lartë amerikan”, citohet të ketë pohuar ai më tej.

    Ai kujtoi se Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar për pasoja nëse qasja e qeverisë Kurti 2 nuk do të ndalej.

    “Ne ishim të qartë, gjithashtu, se do të kishte pasoja nëse kjo do të vazhdonte. Dhe në një moment e ndiem se nuk mund të prisnim më gjatë dhe se duhej të mbronim interesat tona”, ka thënë ai.

    Duke folur për rrugëdaljen, zyrtari amerikan ka thënë se Uashingtoni pret rezultate nga procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por nënvizoi se vetëm kjo nuk mjafton.

    “Po flas edhe për një proces paralel, ku Qeveria e Kosovës flet me qytetarët e vet dhe i përfshin ata në plane, qoftë nëse ato dalin nga dialogu, qoftë nëse dalin nga dialogu mes Kosovës dhe qytetarëve të saj”, citohet të ketë deklaruar ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark