
Një zyrtare e Komunës së Drenasit ka goditur me veturë zyrtare një fëmijë në fshatin Tërdevc të kësaj komune. Rasti ka ndodhur më 28 maj. Më 30 maj, Insajderi ka pyetur Policinë për rastin, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje, ndërsa aksidenti nuk është përfshirë as në raportin 24-orësh. Nga Komuna kanë konfirmuar për Insajderin aksidentin e zyrtares se tyre.
Gazeta Insajderi
Gazeta Insajderi ka mësuar se Aurela Sahiti, zyrtare për Leje Ndërtimore në Drenas, goditi një fëmijë të moshës 16 vjeçare me veturën zyrtare.
Fëmijës siç merr vesh Insajderi i është dashur të bëj edhe intervenime si pasojë e gjendjes së rëndë.
Aksidenti ndodhi me 28 maj, policia nuk ktheu përgjigje.
Ndërsa, rasti nuk u përfshi as në raportin 24 orësh siç ndodh rëndom.
Foto nga aksidenti
Por, ditën e sotme policia pas insistimit të Insajderit, konfirmoi rastin. Aty thuhet se përveç fëmijës, lëndime kanë pësuar edhe dy pasagjer që ishin në automjet.
Rasti është iniciuar si “Rrezikim i Trafikut Publik”.
“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ka pranuar një informacion për një aksident trafiku të ndodhur me datën 28.05.2025, rreth orës 13:30, në Fsh. Terdec, në territorin e Komunës së Drenasit. Në këtë aksident janë përfshirë një automjet zyrtar dhe një këmbësor, fëmijë i moshës 16-vjeçare. Sipas të dhënave fillestare nga njësitë policore që kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK – Prishtinë. Po ashtu lendime trupore kanë pësuar edhe dy pasagjer qe gjëndeshin ne Automjet. Rasti është iniciuar si “Rrezikim I Trafikut Publik”. Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor nga Njësia Rajonale në Prishtinë është duke u marrë me hetimin e rastit dhe me mbledhjen e të gjitha provave për të sqaruar rrethanat e aksidentit“, thuhet në konfirmim e policisë për Insajderin.
Insajderi ka siguruar edhe një foto të veturës zyrtare që tashmë është dërguar për servis.
Komuna pohon se zyrtarja e A.S u përfshi në aksident
Komuna e Drenasit në një përgjigje me shkrim për Gazetën Insajderi thanë se kryetari ka qenë në gatishmëri të plotë për t’i dalë në ndihmë familjes së të lënduarit.
Sipas tyre nuk janë munduar që ta fshehin rastin.
“Ju njoftojmë se menjëherë pas informimit për rastin në fjalë, Kryetari i Komunës, z. Ramiz Lladrovci, ka qenë në gatishmëri të plotë për t’i dalë në ndihmë familjes së të lënduarit. Ai ka komunikuar personalisht me familjen e fëmijës së aksidentuar për të ofruar mbështetje dhe kujdes institucional. Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë se ky rast nuk është dhe nuk do të jetë objekt i asnjë lloj tentimi për fshehje nga ana e institucionit tonë. Çdo procedurë lidhur me rastin i takon organeve kompetente, të cilat e kanë marrë trajtimin në përputhje me ligjin“, thuhet në përgjigjen dhënë për Insajderin.
Zyrtarja A. Sahiti ndodhet në pushim mjekësor, Insajderi ka provuar të marrë edhe një version të ngjarjes nga ajo, por që nuk ka kthyer përgjigje./Insajderi.org/