Zyrtarja e shtetit mori pagë edhe pse u pezullua nga puna - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtarja e shtetit mori pagë edhe pse u pezullua nga puna

    Insajderi
    03 July 2016 - 20:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Punët në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore nuk po shkojnë fare mirë. Sidomos kur është puna tek pagesat ose shpenzimi i parasë publike, buxhetit që i ndahet nga Kuvendi i Kosovës.

    Auditorët kanë gjetur se edhe këtë vit, ka vazhduar avazi i funksionimit të aktemërimit të Udhëheqëses Ekzekutive në mënyrë të parregullt, pasi vazhdimi i kontratës është bërë me një aktemërim të nënshkruar nga Menaxherja e Personelit e jo nga Kryetari i Këshillit.

    Por kjo nuk është e tëra. Në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, janë bërë shumë pagesa të parregullta të pagave dhe punës jashtë orarit, raporton Insajderi.

    “Një zyrtare e pezulluar nga detyra për tre muaj, ishte paguar me pagë të plotë, përkundër faktit që sipas ligjit, gjatë periudhës së suspendimit duhej t’i ndalej 50% e pagës”, thuhet në raportin e Auditorit për KKTK-në për vitin 2015.

    Në një rast tjetër, kryetari dhe një anëtarë i Këshillit ishin mbi-paguar me 1 mijë e 200 euro, për dy muaj, si rezultat i pagesës së 40 orëve punë në vend të 20 orëve, siç përcaktohet me rregullat e aplikueshme.

    “Megjithatë ky gabim ishte korrigjuar në fillim të vitit 2016”, thuhet në raport.

    Përpos kësaj, një anëtare e Këshillit për dy muaj gjatë pushim të lehonisë kishte marrë pagë të plotë edhe pse, sipas ligjit, ishte dashur të paguhej me 70% të pagës bazë.

    “Pagesat për orët shtesë jashtë orarit KKTK përgjatë tërë vitit kishte paguar punonjësit e saj për punë shtesë jashtë orarit të rregullt të punës. Puna e mbajtur jashtë orarit ishte shfrytëzuar në lartësinë maksimale të lejuar dhe jo vetëm në rastet e nevojshme siç specifikohet me dispozitat ligjore”, ka gjetur auditorët, raporton Insajderi.

    Edhe pse buxheti për këto pagesa ishte planifikuar, nevoja për këto punë është arsyetuar dobët, thuhet në raportin e auditorëve, teksa puna jashtë orarit nuk ishte e aprovuar paraprakisht nga mbikëqyrësit e drejtpërdrejtë.

    Pagesat totale për punë jashtë orarit gjatë vitit ishin 9 mijë e 90 euro.

    “Pagesat e parregullta të pagave të punëtorëve, dhe orëve shtesë në mungesë të aprovimit paraprak dhe pa arsyetim të duhur, mund të rezultojë me pagesa për punën e cila nuk është bërë dhe shkakton dëmtim të buxhetit”, thuhet në raport.

    Sipas auditorëve, Këshilli duhet të sigurojë që pagesat e pagave të punëtorëve të bëhen në harmoni të plotë me rregullat dhe procedurat në fuqi.

    “Puna jashtë orarit duhet të lejohet/mbahet vetëm në rastet kur është e domosdoshme dhe të aprovohet/arsyetohet në mënyrë adekuate me dokumentet mbështetëse”, thuhet në fund të raportit për çështjen e shumë pagesave të parregullta të pagave dhe punës jashtë orarit./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark