Ndërsa zjarret në pyje vazhdojnë të prekin rajone të ndryshme në Mesdhe dhe Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian po mobilizon me shpejtësi mbështetje për të ndihmuar vendet për kufizimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të gjësë së gjallë.
Dy helikopterë për të mbështetur operacionet në Shqipëri do të dërgohen nga Republika Çeke dhe Holanda.
Dy aeroplanë zjarrfikës “Canadair” nga Franca po dërgohen në zonat e prekura në Itali për të filluar sot operacionet e shuarjes së zjarreve.
Dy avionë zjarrfikës nga Qipro po mbështesin Greqinë, në krye të një ekipi zjarrfikës për të mbështetur operacionet në terren.
Përveç kësaj, Sllovenia po dërgon një ekip prej 45 zjarrfikësish në Maqedoninë e Veriut.
E gjithë ndihma mobilizohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, me bashkëfinancim nga Komisioni me të paktën 75% të kostove të transportit.
Komisioneri për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarçiç tha se “ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të dërguar ndihmë ndërsa zjarret janë ndezur në të gjithë Evropën. Falënderoj Qipron, Republikën Çeke, Francën, Slloveninë dhe Holandën që vendosën me shpejtësi aeroplanë zjarrfikës, helikopterë dhe një ekip zjarrfikësish për të mbështetur vendet e prekura shumë nga zjarret në pyje”./Atsh/