Policia e Shtetit ka shpërndarë protestuesit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Këta të fundit për të pestën ditë radhazi kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për shkak të vrasjes së të riut Klodrian Rasha të martën e kaluar nga një pjesëtar i policisë gjatë kohës së orës policore.
Forcat e rendit sonte kanë shoqëruar disa persona, të cilët po protestonin rrugëve të kryeqytetit shqiptar. Policia e Shtetit ka përdorur topa uji dhe gaz-lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.
Protestat e sotme erdhën pasi në rrjetet sociale u bë sërish thirrje për protesta në sheshet kryesore të vendit, kundër dhunës policore, për lirimin e protestuesve, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe reformim të policisë.
Pas natës së parë të protestës në Tiranë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, por kryeministri Edi Rama deklaroi se kryepolici Ardi Veliu do të qëndrojë në detyrë.