Mbështetja e portfolios së garantuar të FKGK-së nga EIF , pjesë e Bankës Evropiane për Investime (EIB), do të rrisë edhe më tej aftësinë e Fondit për të siguruar nivel më të lartë të garancive për kredi duke shënuar njëherit një qëndrueshmëri edhe më të lartë për sektorin financiar. Një qëndrueshmëri e tillë do të reflektojë në lehtësi për ndërmjetësimin financiar duke ndikuar pozitivisht në lehtësimin dhe nxitjen e kreditimit të NVME-ve, si dhe në rritjen ekonomike dhe punësimin në Kosovë.
Kjo linjë garantuese që do të operojë në kuadër të FKGK-së për një periudhë dy vjeçare, falë mbështetjes së EIF-së do të ju ofrojë Institucioneve Financiare kushte më të favorshme për garancitë kreditore.
FKGK është kandidati i parë nga Kosova me një transaksion të miratuar në kuadër të COSME Instrumentit për Garantimin e Kredive. Vlera e kredive të mbështetura për NVM- të pritet të arrijë deri në 90,000,000 € për një periudhë prej dy vitesh.
Shuma totale e kredive të miratuara nga Institucionet Financiare Partnere dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore ka arritur tashmë në 128.2 milionë euro të shpërndara në mbi 3,350 kredi, ndërsa investimet e bëra me këto kredi premtojnë mbi 4,932 vende të reja pune.




