
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se është marrë vendim për ndarjen e 170 mijë euro për projektet e kulturës.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se gjatë ditëve të ardhshme do të hapet një thirrje për artistë të fushave të ndryshme të Komunës së Prishtinës, të cilët nuk kanë asnjë të hyrë dhe të cilët janë goditur nga pandemia.
“Sot është marrë vendimi për ndarjen e 170 mijë eurove për projekte të kulturës. Në këtë kohë pandemie edhe projektet e kulturës, apo më mirë me thënë artistët kanë pësuar nga mungesa e mundësive, shfaqjeve, ekspozitave e koncerteve. Prandaj ndihma për projekte është e domosdoshme”, ka thënë Ahmeti.
Ai tha se vlera e subvencionit do të varet nga numri i aplikuesve që kalojnë kriteret derisa shtoi se detajet do të bëhen të ditura ditëve në vijim.
“Politikat tona gjatë pandemisë po mundohen që të përfshijnë të gjitha kategoritë. E kuptojmë se shumat mund të mos jenë të mëdha, por po mundohemi që krejt çka kemi t’i japim për qytetarët tonë pa përjashtime”, ka shkruar Ahmeti.