Komuna bregdetare e Ulqinit ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Përfaqësuesit e kësaj komune sot në Prishtinë kanë shpalosur lehtësirat dhe investime në bregdetin e Ulqinit, derisa kanë paralajmëruar edhe një marrëveshje në mes të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Byrosë së Malit të Zi për largimin e taksës kufitare nga mesi i qershorit.
Kryetari i Ulqinit, Aleksandër Daboviq tha se tashmë situata pandemike në këtë komunë ka bërë që e gjithë vëmendja të fokusohet te sezoni turistik.
Daboviq derisa listoi investimet që kanë bërë si pushtet komunal për të përmirësuar kushtet për turistët, kërkoi që çmimet të jenë sa më të përshtatshme për të gjithë.
“Komuna e Ulqinit ka ditë që është e fokusuar rreth përgatitjeve për sezonin turistik… Si komunë kemi synuar dhe synojmë që qyteti të ketë një imazh të përmirësuar, ndërsa subjektet private duke investuar në pamjet e objekteve të tyre, gjelbërimin e mjediseve reklamimin e bizneseve… Të goditur nga pandemia dhe pasojat e të cilës po i përjetojmë, ne kemi ndërmarrë disa hapa veçmas në infrastrukturë në vendet e parkingut, sinjalizimit, asfaltimit, ndriçimit publik dhe fushat tjera. Këtë vit me kohë kemi reaguar që pika kufitare të jetë më transparente të shmangen radhët dhe pritjet. Ne insistojmë dhe kërkojmë mirëkuptim nga pushuesit në plazhe, pronarët e hoteleve, restorantet dhe qiradhënësit dhe të tjerët që këtë vit çmimet të jenë sa më të përshtatshme për të gjithë”, tha ai.
Nënkryetari i komunës së Ulqinit, Astrit Hoxha tha se deri tani në Ulqin janë vaksinuar kundërCOVID mbi 35 për qind e popullatës, derisa është plani që deri më 10 qershor të vaksinohen edhe punëtorët e turizmit.
“Deri më sot në Ulqin më se 35 % e popullatës janë të vaksinuar me një ligj që e ka sjellë qeveria e Ulqinit deri më 10 qershor të gjithë punonjësit e turizmit do jenë të vaksinuar, kështu që shëndeti do jetë primar”, tha ai.
Drejtori i Organizatës Turistike në Ulqin, Gëzim Hajdaraga i ka shpalosur disa nga aktivitet kulturore të organizuara për turistët. Ai tha se fokusi i tyre është edhe te zhvillimi i turizmit kulturor.
Ai tha se janë duke punuar për të larguar pagesën e policës kufitare si dhe kontrollimin vetëm njëkahor në kufi me qëllim të eliminimit të pritjes.
“Një plagë e vjetër një problem 20-vjeçar e jo më pak e që është pagesa e sigurimit për makina si duket së bashku me finale e kampionit në futboll po vjen edhe finalja e eliminimit për pagesën… Organet policore shtetërore në Mal të Zi kanë bërë të mundur që familjet me fëmijët e tyre nën 18 vjet mund të hyjnë pas asnjë dokument, pa pasaportë dhe pa letërnjoftim me çdo dokument vetëm një fotografi që dëshmon se ka të bëjë me atë fëmijë. Me kryetarin kemi pasur takim dhe kemi dhënë propozimin i cili ka qenë në fuqi në vitin 2006-2011 që të bëhet kontroll e njëkahut sepse pengesë është pritja”, tha ai.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme se marrëveshja për largimin e pagesës për sigurimit kufitare të hyjë në fuqi nga 15 qershori. Ai tha se falë kësaj marrëveshje qytetarët e të dyja vendeve do të kursejnë 4 milionë euro.
“Sigurisht që kjo marrëveshje që shumë shpejt do të nënshkruhet në Byronë e Malit të Zi do t’i heqë pritjet e gjata në kufi me Malin e Zi dhe normalisht do ndikojë edhe në buxhetin e qytetarëve. Kjo është një e arritur e madhe për ne si Byro Kosovare e Sigurimeve… Ideja ka qenë që kjo të ndodhë para sezonit turistik. Dje në mbledhjen e byrosë kemi ndarë një fond garancie për këtë marrëveshje që ka qenë kërkesë e Byrosë malazeze dhe përpjekjet tona janë që më së largu më 15 qershor kjo marrëveshje të hyjë në fuqi dhe qytetarët të mos kenë nevojë për pagesën e sigurimit kufitar. Qytetarët e të dyja vendeve nga kjo marrëveshje do kursejnë hiq më pak se 4 milionë euro”, u shpreh Mazreku.