Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, bashkë me 40 trupa të Forcave të Armatosura është zhvendosur në zonën e Gjormit në Vlorë, ku situata paraqitet alarmante për shkak të përfshirjes nga zjarri të banesave dhe staneve.
Ai thotë se ka kërkuar nga drejtori rajonal i Policisë evakuimin e banorëve me qëllim shmangien e rrezikut të jetëve.
“Mu desh të shkëputem me një numër relativisht të madh trupash, prej 40 trupa, sepse kemi një situatë relativisht të vështirë. Prej afro dy orësh është duke punuar edhe helikopteri për të shuar zjarrin që ka ardhur nga pjesa lindore dhe tani po shtrihet për shkak se era sot është tmerrësisht e pa favorshme. Kemi akoma banorë në fshat. Sapo mbylla një telefonatë me Drejtorin Rajonal të Policisë dhe i kam ritheksuar edhe një herë nevojën për evakuim sa më të shpejtë të të gjithë njerëzve. Së pari të mbajmë larg rrezikut njerëzit dhe më pas pasurinë e tyre”, u shpreh Peleshi në një deklaratë nga zona e lumit të Vlorës mbi situatën e zjarreve.
Sipas Peleshit, beteja e gjithë këtyre ditëve ka qenë shmangia e prekjes nga flakët të parkut të Llogarasë dhe zonat e banuara.
“Kemi sjellë 2 zjarrfikës nga Forcat e Armatosura. Një tjetër po vjen nga bashkia e Vlorës. 40 trupa siç e thashë mbërrijnë nga momenti në moment nga Forcat e Armatosura dhe do të shpresojmë, por dhe punojmë që të shmangim më të keqen. Jemi në mes të situatave të rrezikshme, kryesisht në qarkun e Vlorës por edhe në gjithë Shqipërinë kemi shtrirje.Dje kemi shmangur, edhe me mbështetjen e forcës ajrore në Fushë-Arrëz, prekjen e banesave. Sot jemi shumë të angazhuar dhe të shqetësuar edhe me pak mundësi për të ndërhyrë në pjesën e Karaburunit, në kufi me parkun e Llogorasë. Beteja jonë e gjithë këtyre ditëve më e nxehtë ka qenë pikërisht aty për të shmangur prekjen e parkut. Por le të marrim kohën dhe burimet e nevojshme këtu tani, i kemi të angazhuara, për të fshatrat që janë në zonën e banuar. Shumë pranë zonës së banuar këtu në bashkinë e Selenicës në fshatrat Gjormë dhe Gumenicë”, përfundoi Peleshi.