​Ilaçi që imiton virusin dhe shkatërron qelizat tumorale - Insajderi
×
LifeStyle

​Ilaçi që imiton virusin dhe shkatërron qelizat tumorale

Insajderi
21 October 2020 - 23:22
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkencëtarët kanë gjetur një ilaç të ri që, duke imituar një virus, ndihmon sistemin imunitar për të shkatërruar tumoret.

Ilaçi BO-112, po testohet te njerëzit dhe imiton strukturën e një molekule ARN me dy fije, një lloj materiali gjenetik që gjendet në disa viruse.

Viruset injektojnë ARN-në e tyre në qeliza gjatë infeksionit, por qelizat mund ta marrin këtë ARN virale përmes receptorëve specifikë dhe i bëjnë thirrje sistemit imunitar të ndërhyjë gjatë sulmeve të viruseve.

BO-112 përdor avantazhin e këtij mekanizmi mbrojtës qelizor – pasi të injektohet në një tumor, ilaçi paralajmëron sistemin imunitar për praninë e kancerit.

“Ilaçi, i cili është testuar në minj dhe disa dhjetëra njerëz, mund të fuqizojë efektet e trajtimeve ekzistuese të kancerit”, tha për Live Science autori i studimit Anusha Kalbasi, një profesor asistent në Universitetin e Kalifornisë dhe një anëtar i Qendrës së Kancerit UCLA Jonsson.

Me fjalë të tjera, kur BO-112 zbulon vendndodhjen e tumorit, trajtime të tjera mund të synojnë më lehtë ato qeliza.

“Unë mendoj se forca e BO-112 është në aftësinë e tij për të lejuar imunoterapitë e tjera të rrisin përfitimet e tyre”, tha Kalbasi.

Në një studim të ri, të botuar në tetor, në revistën Science Translational Medicine, mjeku Kalbasi dhe kolegët e saj testuan BO-112 në eksperimente laboratorike dhe një model miu me melanomë, një lloj i kancerit të lëkurës.

Në një provë të veçantë klinike, 44 pacientë njerëzorë morën BO-112 me dhe pa trajtime shtesë, kështu që studiuesit mund të fillojnë të analizojnë se sa i sigurt dhe efektiv është ilaçi te njerëzit.

Rezultatet e hershme sugjerojnë që tumoret e vështirë për t’u trajtuar, BO-112 mund t’i bëjnë ata të prekshëm nga imunoterapia, por ekipi tani duhet të konfirmojë që këto rezultate vazhdojnë në grupe më të mëdha.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark