Pas shqetësimeve të pranuara nga bizneset e sektorit të transportit, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ka reaguar menjëherë duke kërkuar largimin e tarifës për dezinfektim të mauneve që hyjnë në Republikën e Kosovës
OAK ka pranuar me shqetësim vendimin e MPBAP për vendosjen e një tarife për dezinfektim të mjeteve në hyrje të Kosovës, dhe në këtë rast ka kërkuar largimin e menjëhershëm të saj ose që të mbulohet kjo kosto nga shteti, thuhet në letrën që OAK ka dërguar tek ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla lidhur me këtë vendim.
OAK ka konsideruar që këto tarifa janë shumë të larta për bizneset, e sidomos në kohë pandemie, një ngarkesë e tillë do të dëmtonte bizneset edhe më tej.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme i cili gjatë ditës ka bërë të ditur se ka pezulluar kontratën për dezinfektimin e mauneve që vijnë në Kosovë, duke mundësuar kështu që importuesit të mos kenë nevojë t’i dezinfektojnë maunet në pikat kufitare.