Insajderi
Lajme

1.1 milionë euro shpërputhje – çka zbulon dosja për tenderin e pushtetit të Përparim Ramës për sheshin “Xhorxh Bush”

Insajderi
06 November 2025 - 16:38
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
1.1 milionë euro shpërputhje – çka zbulon dosja për tenderin e pushtetit të Përparim Ramës për sheshin “Xhorxh Bush”
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Projekti për rindërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë ka qenë një nga temat më të nxehta të debatit publik, duke shkaktuar përplasje mes Komunës së Prishtinës përkatësisht kryetarit akutal, Përparim Rama dhe Hajrulla Çekut, ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Një dokument i siguruar nga gazeta, që i përket dosjes së tenderit për këtë projekt, ngre dyshime serioze për mënyrën si janë llogaritur dhe përfshirë shifrat në paramasat financiare.

Gjatë analizimit të projektit të Komunës së Prishtinës, në dosjen e tenderit u zbuluan mungesa të dyshimta milionëshe, të cilat qëllimisht ose jo nuk ishin përfshirë në kalkulimet e paraqitura.

Vetëm në një prej paramasave, vlera prej 1.1 milionë eurosh është ‘zhdukur’ nga kalkulimet. Kjo shifër, e regjistruar si “Sheshi i Katedrales”, mungon plotësisht në totalin e paramasës të përllogaritur në dosje.

Dosjen e plotë e tenderit:

Ky element përbën një shpërputhje prej mbi 1.1 milionë euro, që sipas ekspertëve të prokurimit dhe inxhinierisë ekonomike, do të duhej të çonte në rishikim të menjëhershëm të kontratës, madje edhe në nisjen e hetimeve për mënyrën e kalkulimit.

Një muaj më parë, kandidati për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosja, Hajrulla Çeku, akuzoi kryetarin aktual dhe njëherësh kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, për shkelje të rënda ligjore në lidhje me kontratën për sheshin “Xhorxh Bush”.

Çeku deklaroi në emisionin Debat Plus, se kontrata për këtë projekt prej 18.4 milionë eurosh duhet të kalojë testin e ligjshmërisë, duke u bazuar në një sërë dëshmish tashmë të dorëzuara në organet e hetuesisë dhe prokurorisë, që lidhen me shkelje procedurale, ligjore dhe financiare.

Ai shtoi se çdo vendim për hapjen, mbylljen apo alternativa të tjera për projektin duhet të paraprihet nga një vlerësim i kujdesshëm i ligjshmërisë.

Sipas Çekut, kontrata është realizuar me shkelje të mëdha procedurale. Ai përmendi mungesën e deklaratës së disponueshmërisë, fazën e papërfunduar të projektit dhe mungesën e konsultimeve publike. Sipas tij, Komuna – përmes Drejtorisë së Urbanizmit – kishte vendosur kushte të veçanta për Drejtorinë e Investimeve para dhënies së lejes përfundimtare, përfshirë marrjen e pëlqimit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Çeku konfirmoi gjithashtu se kishte bërë një denoncim zyrtar për këtë projekt, duke shtuar se vlera e kontratës nuk përkon me tabelat e përfshira në dokumentacionin e tenderit, të njohura si paramasë – paralogari.

Më 9 shtator të këtij viti, Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e Komunës së Prishtinës për suspendimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, i cili ndalon punimet në Sheshin “Xhorxh Bush”.

Në aktvendim, Apeli theksoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore përbën interes publik dhe se institucionet shtetërore duhet të respektojnë ligjin, duke u pajisur me pëlqimet e nevojshme nga autoritetet kompetente.

Sidoqoftë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte deklaruar se projekti për sheshin “Xhorxh Bush” do të ndikojë në disa zona kyçe të qytetit, duke përfshirë edhe sheshin “Zahir Pajaziti” dhe një pjesë të Bibliotekës Kombëtare, dhe se ndryshimet do të jenë të dukshme për infrastrukturën dhe pamjen e qytetit.

Ai shtonte se punimet do të zhvilloheshin në tri faza, me qëllim që qytetarët të mos ndihen të bllokuar gjatë zbatimit të projektit.

Projekti ishte planifikuar të përfundojë pas 240 ditësh punë dhe vlera e tij arrin 18.1 milionë euro.

/Insajderi

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark