×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    1.7 milionë euro tender | OShP-ja dënohet se fshehu dokumente në mbrojtje të biznesmenit Isen Dervishi

    Insajderi
    02 September 2024 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Organi Shqyrtues i Prokurimeve është ndëshkuar nga Agjencia për Privatësi me 3 mijë euro gjobë. Ky institucion u gjet fajtor se nuk iu dha palës së interesuar dokumente që e kishte obligim. Dokumenti i kërkuar lidhet me tenderin 1.7 milionë euro me të cilin u shpërblye firma “Papemburg & Adriani Company” e biznesmenit Isen Dervishi.

    Visar Duriqi

    Tre mijë euro do të detyrohet që ti paguaj arkës së shtetit Organi Shqyrtues i Prokurimeve (OShP). Agjencia për Privatësi (AIP) e ka gjetur fajtor këtë mekanizëm shtetëror, që njihet edhe si Gjykata e Tenderëve, pasi që palëve që ishin të interesuara nuk ua dha një dokument të rëndësishëm – procesverbalin se si erdhi deri tek vendimi në tenderin për zgjerimin e rrugës nga ura e Veterrnikut në Prishtinë e deri tek hyrja e Graçanicës.

    OShP-ja vendosi që Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga dyshja Liburn Aliu e Hysen Durmishin kishin të drejtë kur vendosën që këtë punë prej 1.7 milionë eurosh të ia jepnin kompanisë “Papemburg & Adriani Company”, pronë e Isen Dervishit.  Muhamet e Mevlud Dervishi aty janë listuar si drejtor, respektivisht drejtor menaxhues të firmës së Isen Dervishit.

    Një palë e interesuar kishte kërkuar që ti jepej qasje tek procesverbali se si OShP-ja erdhi deri te ky vendim, dokument që duhet të ishte pjesë e dosjes së Gjykatë së Tenderëve.

    Pala kishte kërkuar që ta shihte këtë dokument. OShP-ja në anën tjetër kishte nxjerr një konstatim që AIP-it iu duk i pa pranueshëm.

    “Organi Shqyrtues i Prokurimit, me datë 12 korrik 2024 fillimisht ju ka përgjigjur shkresës njoftuese të AIP-së, dhe e ka arsyetuar mosofrimin e qasjes së kërkuar, duke deklaruar se: “Procesverbali i këshillimit dhe votimit është një dokument i brendshëm që përmban të dhëna konfidenciale siç është vota, OSHP konsideron se ky procesverbal duhet të hapet vetëm sipas kërkesës së Gjykatës dhe Hetuesisë. Për shkak të informatave që mund të jenë konfidenciale, procesverbali nuk mund të dorëzohet tek ….sepse i njëjti është njoftuar me rezultatin përfundimtar me marrjen e vendimit, andaj procesverbali i votimit i anëtarëve në rastin konkret nuk është i nevojshëm sepse konsiderojmë që njoftimi i OE-ve të cilët parashtrojnë ankesë tek OSHP me procesverbal të votimit do mund të cenonte integritetin e secilit anëtar të Bordit të OSHP-së”, thuhet në arsyetimin e OShP-së.

    AIP: Procesverbali është dokument publik, jo vetëm për hetuesinë

    Agjencia për Informim dhe Privatësi e konsideron pastaj këtë përgjigje si të pabazuar dhe shqipton gjobën.

    “AIP… vlerëson se kërkesa e palës ankuese është e drejtë dhe nuk qëndron arsyeja e institucionit që mos t’i ofrojë palës ankuese qasje në dokumente publike. Mos-ofrimi i qasjes në dokumente publike nga OShP, nuk është i bazuar në asnjërin prej 12 kritereve të parapara sipas paragrafit 2 të nenit 17 i Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike. Qasja në këto dokumente të karakterit administrativ mbështetet me nën-paragrafin 3.2 të nenit 17 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike sepse lidhen me ushtrimin e funksioneve publike”, thuhet në arsyetimin e gjobës.

    Për këtë tender kishte vendosur si penalist i vetëm Vedat Poterqoi, një nga anëtarët e Bordit të OShP-së për të cilin Gazeta Insajderi ka raportuar edhe më parë.

    Lexo raportimet e Insajderit për Vedat Poterqoin:

    Tenderi që iu dha firmës së biznesmenëve Dervishi ishte nisur nga dikasteri i Infrastrukturës në Qeverinë e Albin Kurtit në tetor të vitit 2023. Në maj të vitit 2024 ai përfundoi me vendimin që kjo punë i takon firmës “Papemburg & Adriani Company”.

    Për këtë tender kishte pasur një ankesë me katër pretendime. Madje edhe vet eksperti i angazhuar nga OShP-ja kishte konstatuar se janë bërë shkelje nga ana e Ministrisë së Liburn Aliut, duke thënë që ky tender prej 1.7 milionë eurosh “të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”.

    Insajderi ka tentuar të marrë koment edhe nga kompania në fjalë, por të njëjtit deri tash nuk janë përgjigjur./Gazeta Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark